“Lufta e tapave” – Industria rimëkëmbet dhe synon të “pushtojë” Kinën
Para një dekade industria e prodhimit të tapave dukej në rrezik zhdukjeje, për shkak se industria e verës, klienti kryesor, po eksperimentonte me produkte më të lira si tapa plastike. Shumë prodhues cilësorë të verës e kishin sharë herë pas here drurin e tapës, duke e fajësuar se i ndryshonte pak shijen verërave me një shije myku.
Megjithatë kjo ishte para shumë kohës, dhe industria e tapave është rimëkëmbur së bashku me prodhuesin kryesor, portugezen Amorim, çmimi në bursë i së cilës është rikthyer në pikun e para 15 viteve.
“Para 15 vitesh, parashikimi për tapën e drurit ishin aspak optimiste. Sot jemi në një territor tërësisht ndryshe nga çfarë njerëzit mendonin atëherë”, thotë Carlos de Jesus, drejtori i marketingut të Amorim.
Tapat prej plastike në formën e tapave prej druri dhe tapat me rrotullim prej plastike dhe alumini, arritën në vitin 2009 të përbënin gjysmën e tregut amerikan, i cili është konsumatori më i madh në botë i verës. Këto tapa gjithashtu përdoren për të mbyllur shumicën e shisheve të prodhuara në Afrikën e Jugut dhe Kili.
Megjithatë industria e tapës është rimëkëmbur, kryesisht duke investuar në kërkime për të eliminuar prishjen e shijes, e cila shkaktohet nga kërpudha mikroskopike të gjendura në lëvoren e pemës; dhe duke bindur disa nga prodhuesit e verës të braktisin aluminin dhe plastikën.
Amorim ka investuar 766 milionë euro në teknologji, duke instaluar lazera dhe robotë që dallojnë edhe shenjën më të vogël të prishjes së verës. Vetë prodhuesit e verërave shprehen të habitur me përmirësimin e ndjeshëm që ka arritur industria e tapave.
Në SHBA tregu i industrisë së tapave është rritur me 60%, ndërsa atë në tregun global në 70%, të cilën Amorim e përllogarit në 1,3 miliardë dollarë në vit.
Megjithatë tani sa ka nisur betaje e vërtetë. Kina është një treg shumë i rëndësishëm në ngritje, ku shtresa e mesme prej mbi 100 milionë njerëzish kanë filluar të pëlqejnë verën. Tapa e drurit dhe rivalët e saj janë në një betejë për të siguruar zemrat dhe mendjet e verëdashësve kinezë. Këtë betejë duket sikur po e fiton tapa tradicionale.
“Është një traditë, përfaqëson prestigjin”, thotë Matthew Gong, zëdhënësi i një prej importuesve më të mëdhenj të verës në Shanghai.
Por sipas tij, konsumatorët e rinj, të cilët janë të prirur të pinë verëra më të lira, nuk janë kaq të ndjeshëm nëse vera ka tapë druri, apo plastike që rrotullohet.
Një tjetër faktor që mund të përmbysë betejën është edhe fakti se 90% e verërave australiane, ku Kina është blerësi më i madh, janë të mbyllura me tapë që rrotullohet.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.