Lufta kundër trafikimit të personave – Xhafaj: Të forcojmë bashkëpunimin në nivel kombëtar dhe rajonal

Do të forcojmë bashkëpunimin në nivel kombëtar dhe rajonal për të luftuar fenomenin e trafikimit të personave. Kështu u shpreh ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj në deklaratën e tij pas raportit të publikuar nga Departamenti i Amerikan i Shtetit. Sipas këtij të fundit, janë disa fusha kyçe ku qeveria shqiptare nuk i ka përmbushur plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit, pavarësisht përpjekjeve që po bën në këtë drejtim.
Ndërkohë, Xhafaj u shpreh se lufta kundër trafikimit të personave është një ndër prioritetet kryesore të qeverisë shqiptare, duke shtuar më tej se ka ende shumë për të bërë në këtë drejtim.
“Qeveria shqiptare e ka vendosur luftën kundër trafikimit të personave si një nga prioritetet e saj, duke e fokusuar këtë luftë jo vetëm në goditjen e veprimtarisë kriminale, por edhe në bashkërendimin e forcës për parandalimin dhe mbrojtjen e viktimave të trafikimit. Realizimi i këtij prioriteti nuk mund të përmbushet nga një qeveri apo shtet i vetëm pa forcimin dhe bashkëpunimin në nivel kombëtar dhe atë rajonal. Është përgjegjësia e gjithësecilit prej ne për të marrë hapat e duhur për asgjësimin e këtij fenomeni, për të ndërmarrë hapat e duhura se për hir së të vërtetës edhe ne si qeveri edhe të gjithë aktorët e tjerë kanë ende shumë në këtë aspekt”, tha Xhafaj.
Ministri shtoi se, për të pasur një veprim të koordinuar ndaj luftës kundër trafikimit të personave është hartuar dhe pritet të miratohet “Plani Kombëtar i Veprimit 2018 – 2020”, i cili ka kaluar një proces të gjatë konsultimi me të gjithë aktorët anti-trafikim kombëtar dhe ndërkombëtar.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.