Lufta kundër varfërisë fitoi Nobelin në ekonomi!

Nga Enio Civici
Çmimi i Sveriges Prize në Shkenca Ekonomike në kujtim të Alfred Nobel për vitin 2019 u fitua nga Abhijit Banerjee, Esther Duflo dhe Michael Kremer për “qasjen e tyre ekspertimentale drejt zbutjes së varfërisë në botë”.
Sipas studiuesve dhe komentatorëve kryesorë në mediat ndërkombëtare, me anë të këtij cmimi, u vlerësuan jo vetëm tre ekonomistët por dhe dega e ekonomisë së zhvillimit e cila dukej sikur nuk do të rikthehej në krye të katedrave dhe forumeve publike.
Varfëria globale, viktimë e së cilës është dhe rajoni ynë në Jug Lindje të Europës, vazhdon të jetë një sfidë e pafituar.
Po përse pikërisht këta tre ekonomistë dhe investimi i tyre në ekonominë e zhvillimit merituan këtë çmim?
Teoria e zhvillimit zakonisht është në gjendje të zbulojë arsyet e varfërisë dhe për pasojë të propozojë politika publike për ta luftuar atë. Por e ka të pamundur të kuptojë përkatësisht se cilat nga politikat publike kanë efekt të madh në praktikë. Pikërisht këtu qendron dhe kontributi i këtyre tre ekonomistëve.
Citimet e cmimit Nobel për ta janë pikërisht shembuj të impaktit të eksperimentëve të tyre të cilat kanë ndihmuar në edukim, shëndetësi dhe kreditim për shumë njerëz që jetojnë në vendet në zhvillim.
Për shembull mund të marrim rastin e shëndetit dhe vdekshmërisë foshnjore e cila konsiderohet problem i madh në botë. Teoria na tregon se fuqizimi i gruas në edukim dhe kujdes natyror e farmaceutik janë ndërhyrjet e nevojshme për të shmangur këtë problem. Por teoria ama nuk na tregon dot efektet konkrete të impaktit të secilës politikë publike.
Cilat janë rastet konkrete të qasjes eksperimentale të këtyre tre ekonomistëve?
Kontributi më i madh i Banerjee, Duflo dhe Kremer qendron në qasjen e tyre për aplikimin e ekonomisë së zhvillimit. Ata ndërtuan një strukturë shkencore dhe përdorën informacione reale për të identifikuar shkaqet e varfërisë, për të parashikuar efektet e politikave publike dhe më pas për të bërë vlerësimin kosto-fitim.
Më ekzaktësisht, ata kanë zhvilluar RCT (Randomised Control Trials), një metodë inovative për matjen e aplikimit të politikave publike. Një rast konkret është aplikimi i RCT në sistemin e edukimi në Kenya në fillim të viteve 1990. Rezultatet e studimit ishin befasuese.
Matja nëpërmjet mënyrës eksperimentale tregoi se alfabetizmin nuk e mund as tekstet e mira shkollore, as tarifat e ulta dhe akoma më pak infrastruktura e shkollave. RTC tregoi se rezultati më i ndjëshëm kishte ardhur nga ndryshimi i mënyrës së mësimdhënies si faktori me impaktin më të madh.
Ky sistem teknologjik dhe i aplikuar në terren tregoi gjithashtu se aplikimi i teorive të zhvillimit duhet të ndodhë vetëm nën rrethana të kontekstualizuara dhe jo në mënyra të kopjuara nga një shtet në një tjetër.
A mund të jetë ky çmim me rëndësi edhe për një ekonomi në zhvillim si është ajo shqiptare?
Sigurisht që po. Për më tepër cmimi Nobel i këtij viti i është dedikuar pikërisht luftës kundër varfërisë, një sëmundjeje të gjatë shqiptare. Një ndër problemet me të cilat është përballur parlamenti, institucionet dhe akoma më shumë popullsia shqiptare, është aplikimi i kopjuar i ndërhyrjeve legjislative dhe praktike të marra si shembuj nga shtete të tjera.
Kontributi i tre ekonomistëve të mësipërm emfatizon rëndësinë kapitale që ka përshtatja dhe matja e vazhdueshme e politikave publike sipas secilit vend. Një cështje është nëse Shqipëria duhet të aplikojë politika zhvillimi neo liberale apo konservatore, një tjetër është se si këto politika duhet të “qepen” sipas trupit të ekonomisë sonë. Sa më shpejt qeveritë dhe opozitat të kuptojnë këtë, aq më shpejt propozimet e tyre do të ndjehen nga shqiptarët.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.