Lufta ndaj informalitetit, Tatimet dhe Inspektorati i Punës kontroll subjekteve në Durrës
Në kuadër të zbatimit të planit të gjerë operacional për luftën kundër informalitetit, Inspektoriati i Punës dhe Sektori i Monitorimit në Terren nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve vijuan me një inspektim të përbashkët në zonën e Currilave në Durrës.
Referuar njoftimit zyrtar të Ministrisë së Financave, subjektet u kontrolluan për deklarimin e punonjësve, lëshimin e kuponit tatimor, ndërsa verifikohen për regjistrimin dhe deklarimet në organet tatimore.
Drejtues të Lartë nga Inspektoriati i Punës dhe DPT thanë për mediat se nuk do të ketë asnjë tolerancë ndaj bizneseve të parregullta, të cilat dëmtojnë bizneset e ndershme dhe konkurrencën e drejtë në treg.
“Jemi çdo ditë në terren, për të identifikuar shkelësit e ligjit, duke marrë masa ndaj secilit punëdhënës që mban punonjës në të zezë, nëpërmjet vendimit të pezullimit të punës, deri në formalizimin e tyre”- tha Arben Seferaj, kryeinspektor i Inspektoriatit Shtetëror të Punës.
Drejtori i Hetimit Tatimor, Martin Mici tha se “bizneset e rregullta nuk kanë arsye të shqetësohen nga inspektimet tona, përkundrazi Administrata Tatimore është krah tyre për të garantuar konkurrencën e drejtë dhe të barabartë në treg“.
Monitorimet në terren do të vijojnë intensivisht, përgjatë gjithë zonës bregdetare, të koordinuara mes institucioneve të ndryshme sipas specifikave të rasteve, që identifikohen nga moduli i riskut dhe denoncimet e qytetarëve.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.