Lufta ndaj zjarreve, TAP dhuron 600 fikëse zjarri shpine – Shteti apel kompanive të tjera private

Ashtu siç kishte premtuar në fillim të muajit Gusht, kompania që po ndërton Gazsjellësin Trans Adriatik në vendin tonë u ka dorëzuar të martën autoriteteve shqiptare 600 fikëse zjarri shpine personale dhe 100 uniforma zjarrduruese për të përballuar emergjencat me flakët në të gjithë vendin.
Këto pajisje do t’i shërbejnë forcat zjarrfikëse për të luftuar vatrat e zjarrit edhe në vendet që përbëjnë një shkallë më të lartë vështirësie, për shkak të terrenit të thyer.
Për dorëzimin e pajisjeve u organizua një ceremoni, ku morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, Emergjencat Civile, Zjarrfikësit, Policia e Shtetit, Forcat e Armatosura, Shërbimi pyjor, etj.
“Ne jemi të ndërgjegjshëm se fatkeqësitë natyrore dhe ato të shkaktuara nga dora e njeriut nuk njohin kufij dhe asnjë shtet, sado i përgatitur që të jetë, nuk është në gjendje të përballojë i vetëm pasojat e një shkalle të madhe të këtyre fatkeqësive. Fatkeqësitë i kushtojnë miliarda lekë ekonomisë shqiptare dhe kapacitetet aktuale të sistemit të mbrojtjes civile shqiptare janë të pamjaftueshme për të menaxhuar numrin në rritje të emergjencave dhe rehabilitimin e shpejtë të tyre”, u shpreh gjatë ceremonisë zv/ministri i Punëve të Brendshme Stefan Çipa.
Ai vijoi duke i bërë apel edhe kompanive të tjera private të tregojnë bashkëpunimin e tyre duke mbështetur emergjencat civile.
“Është e papranueshme që një investitor shpenzon miliona euro për ndërtimin e objekteve turistike, apo fabrikave dhe nuk investon për sistemin e mbrojtjes nga zjarri, aq i domosdoshëm për mbrojtjen e jetës njerëzore, pasurisë dhe mjedisit”, u shpreh Çipa.
Ndërsa kreu i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi u shpreh se situata e zjarreve gjatë këtij viti ka evidentuar problematikat që duhen zgjidhur nga drejtuesit e bashkive dhe të strukturave vendore të shërbimit zjarrfikës, siç janë.
“Hartimi i planeve të emergjencës në nivel bashkie;
përcaktimi i hot spoteve të riskut nga fatkeqësitë;
krijimi i kushteve dhe përmirësimit të kapaciteteve operacionale, siç është dhe rasti i sotëm me kontributin që po jep projekti TAP;
ndryshimi i filozofisë e kontrollit dhe inspektimit në kohë gjatë gjithë vitit për territorin dhe bizneset, të cilat zhvillojnë aktivitete dhe nuk mendojnë për kompletimin e projekteve të tyre me sistemin e mbrojtjes nga faktorë natyrore, zjarri, hidrantët e mjaftueshme në rrugët e reja, apo pranë objekteve me rëndësi ekonomike, për të krijuar lehtësi operacionale në rastin e zjarreve”, theksoi Prençi.
TAP u zotua që bashkëpunimi me strukturat që luftojnë zjarret do të vazhdojë edhe në të ardhmen, duke dhuruar edhe mjete motorike.
Angelo Haruni/SCAN
Posted by Ministria e Punëve të Brendshme on Tuesday, August 29, 2017
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.