“Luftë” mes OSHEE dhe UKT – Operatori i Shpërndarjes: 4 “goditje” brenda javës
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike dhe ndërmarrja Ujësjellës Kanalizime Tiranë duket se janë në një luftë mes tyre, pavarësisht faktit që janë dy institucione publike në shërbim të qytetarit.
OSHEE ka denoncuar të shtunën, atë çka e ka quajtur “goditjen” e katërt brenda javës nga ana e UKT. Sipas kësaj kompanie, një pjesë e Unazës së Madhe nuk ka energji elektrike për shkak të dëmtimit në rrjet të bërë nga UKT.
“Kjo është hera e 4 brenda kësaj jave që abonentë të OSHEE mbeten pa drita për shkak të punimeve të papërgjegjshme nga ana e UKT, pavarësisht apelit tonë për asistencë nga ing. e Operatorit të Shpërndarjes”, thuhet në njoftimin e OSHEE.
Dëmtimi i fiderit 335 ka lënë pa drita zonën nga Mëzezi deri tek Astiri, ndërsa punimet për riparimin e defektit do të zgjasin.
Disa minuta pas publikimit të këtij postimi, OSHEE ka fshirë postimin në Facebook, duke konstatuar se dëmtimi ka ardhur nga një kompani private dhe jo nga UKT.
Defekti i të shtunës, vjen vetëm një ditë pasi, OSHEE njoftoi se kishte riparuar dëmtimin e fiderit nga UKT në zonën pas “Shkollës së Kuqe”.
Krahas tensionit me ndërmarrjen e ujit, operatori i shpërndarjes duket se ka probleme edhe me punimet e firmave private që ndërhyjnë në llogari të Bashkisë. Një vit më parë, OSHEE kallëzoi në polici 11 firma private, të cilat kishën shkaktuar rreth 40 defekte në Tiranë.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.