Lugina e Vjosës – Pesë javë për të ngritur një “strategji” turizmi

Vjosa është ndoshta një ndër lumenjtë që ka marrë një vëmendje të veçantë gjatë viteve të fundit.
E gjithë kjo si rezultat i koncesioneve që u lakuan se do të ndërtohen por edhe rezistencës së banorëve dhe ambientalistëve për të mos prekur një nga ato që konsiderohen si perla të natyrës.
E ndërsa pak muaj më parë Gjykata vendosi që të mos ndërtohen disa hidrocentrale të planifikuara mbi këtë lumë, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit ka vendosur të fokusohet tek turizmi që mund të zhvillohet në këtë zonë.
Për pesë javë Akademia Atelier Albania synon që të mbledhë rreth vetes aplikantë që do të propozojnë projekte dhe aktivitete që mund të zhvillohen në këtë luginë për të stimuluar rritjen e fluksit të vizitorëve, duke përdorur me kujdes, efikasitet dhe përgjegjshmëri potencialin që ofron natyra dhe kultura vendase.
Kjo bëhet në kuadër të zbatimit të Planit të Përgjithshëm Kombëtar të Territorit si dhe procesit të planifikimit vendor për bashkitë Këlcyrë, Përmet dhe Kolonjë.
Në fund të kësaj eksperience pritet që të dalë edhe një produkt që do të përmbajë gjithë propozimet mbi zhvillimin e Luginës së Vjosës.
Nertila Maho/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.