Luhatjet e buxhetit deri në 2021 – Rriten investimet në infrastrukturë, ulen shpenzimet për kujdesin parësor
Buxheti afatmesëm duket se do të ketë disa luhatje sa i përket rritjes dhe uljes së investimeve në sektorë të ndryshëm. Në tre vitet e ardhshëm duket se investimet më të shumta do të bëhen në transportin rrugor sipas buxhetit afatmesëm.
Aktualisht investimet në këtë sektor janë në 24.4 miliardë lekë, shumë kjo që do të shkojnë në 26.4 miliard lekë në 2019. Ndërkohë që investimet në transportin rrugor në 2021 do të shkojnë në vlerën e 28.4 miliardë lekë.
Referuar të dhënave të buxhetit dy zyra të tjerë që do të pësojnë rritje të buxhetit në vitet në vijim e që kanë impakt të drejtpërdrejtë tek qytetarët është furnizimi me ujë të pijshëm si dhe menaxhimi i mbetjeve urbane.
Në rrjetin e furnizimit me ujë të pijshëm për 2018 janë përdorur 10.6 miliardë lekë, ndërkohë që investimet do të rriten deri në 2021 duke shkuar në 11.9 miliardë lekë.
Referuar menaxhimit të integruar të mbetjeve urbane, i cili është një nga problemet më akute të mjedisit do të kemi një rritje të investimeve por përsëri në nivele të ulta.
Kështu nga 2.5 miliardë lekë që janë përdorur në 2018 për menaxhimin e mbetjeve urbane do të përdoren 3.2 miliardë lekë në 2019. Referuar përkujdesjes sociale për të gjitha shtresat në nevojë do të kemi një rritje të vogël në tre vite e ardhshëm.
Nga 21.5 miliardë që shkojnë në ndihmë të familjeve në nevojë në 2019 do të jenë 22 miliardë lekë që shkojnë për njerëzit në nevojë. Ndryshime në Ministrinë e Shëndetësisë dhe të Mbrojtjes Sociale do të ketë edhe sa i përket buxhetit për kujdesin parësor dhe dytësor.
Në kujdesin parësor do të kemi një ulje të buxhetit në 9.1 miliardë lekë në 2019 nga 9.4 miliardë lekë që është aktualisht. Ndërsa buxheti i kujdesit dytësor do të rritet në 25 miliardë lekë në vitin që vjen nga 22 miliardë që është aktualisht.
Në një kohë kur fokusi i zhvillimit të vendit është tek turizmi ajo që bie në sy sipas buxhetit afatmesëm është një ulje e shpenzimeve për zhvillimin e turizmit. Në vitin 2018 shpenzimet për këtë zë janë 315 milionë lekë ndërkohë që në 2019 do të ulen në 285 milionë lekë për të pësuar përsëri një rritje në 2020 dhe 2021 duke shkuar në 328.5 milionë lekë.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.