Luhatjet e punësimit – Bie në industri, rritet në ndërtim e shërbime

Punësimi në sektorin privat jobujqësor të ekonomisë shfaqi një ecuri të zbehtë në tremujorin e parë të këtij viti.
Sipas statistikave afatshkurtra të INSTAT, mbështetur në anketimet e ndërmarrjeve, indeksi i numrit të të punësuarve në industri shënoi rënie me 2,2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Rënia erdhi nga ecuria zhgënjyese të punësimit në industrinë përpunuese dhe në energjetikë, ku punësimi ra përkatësisht me 2.7% dhe 2% krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar.
Industria nxjerrëse regjistroi një rritje të lehtë të punësimit, me 1.4%, kontribut ky i pamjaftueshëm për të sjellë një rritje pozitive të punësimit në industri.
Ecuria e mirë e sektorit të ndërtimit është pasqyruar edhe në ecurinë e punësimit, me një rritje vjetore prej 3%, më e larta mes degëve kryesore të ekonomisë.
Edhe dega e shërbimeve shfaqi një ecuri më të mirë të punësimit në raport me industrinë. Sipas INSTAT, punësimi në aktivitetet e shërbimeve ishte 1.5% më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Rritja më e lartë u regjistrua në aktivitetin e agjencive të udhëtimit, me afro 37%, e ndjekur nga komunikacionet dhe nga transporti. Anketa e forcave të punës, publikuar më herët gjatë këtij muaji nga INSTAT, gjithashtu nuk dha një tablo shumë pozitive të punësimit gjatë tremujorit të parë.
Ndonëse treguesit e punësimit dhe të papunësisë janë më të mira krahasuar me një vit më parë, nuk vërehet ndonjë përmirësim i ndjeshëm progresiv, krahasuar me fundin e vitit të kaluar.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.