Macron bën ‘mea-culpa’? “E kuptoj tronditjen nga karikaturat, por dhuna nuk justifikohet”
Presidenti francez Emmanuel Macron tha se ai i kupton myslimanët që po tronditen nga karikaturat e profetit Muhamed, por shtoi që ai kurrë nuk mund të pranojë që ato të përdoren për të justifikuar dhunën.
Udhëheqësi francez foli për Al Jazeera në një intervistë të lëshuar të shtunën në të cilën ai u përpoq të sqaronte pozicionin e tij mbi Islamin dhe të qetësonte tensionet që u ndezën pas vrasjes së një mësuesi i cili u tregoi karikaturat e Muhamedit nxënësve të tij.
“Unë e kuptoj dhe respektoj që mund të tronditemi nga këto karikatura. Ama unë kurrë nuk do të pranoj që mund të justifikojmë dhunën fizike për këto karikatura dhe unë gjithmonë do të mbroj në vendin tim lirinë për të thënë, për të shkruar, për të menduar, për të vizatuar,” tha Macron.
Ai theksoi se shtypi francez është i lirë të botojë atë që dëshiron dhe se ajo që lëshohet nuk është qëndrimi zyrtar i qeverisë.
Muajin e kaluar, Macron tha në një fjalim se “Islami është në krizë” dhe zbuloi masa të reja për të luftuar Islamizmin Radikal në tokën franceze.
Komentet e Macron kanë shkaktuar protesta anti-Francë në vendet me shumicë myslimane dhe një bojkot të produkteve franceze. Tre sulme janë shpalosur që prej asaj kohe duke përfshirë një sulm vdekjeprurës me thikë në një kishë të Nisë.
D.B – SCAN
Burimi: Euronews
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.