“Macron duhet të bashkojë Francën” – Banka Qendrore dhe Le Maire flasin për dëmin ekonomik
Banka Qendrore e Francës deklaroi në nisje të javës se protestat kundër Qeverisë do të ngadalësojnë ekonominë në tremujorin e katërt, duke vështirësuar detyrën e Emmanuel Macron që të arrijë në një dakordësi me “jelekët e verdhë”.
Banka e Francës projektoi një rritje me vetëm 0.2% të ekonomisë së dytë më të madhe të Eurozonës, nga 0.4% që priste më parë. Ministri i Financave Bruno Le Maire nuk dha një vlerësim për vitin 2018, por tha se trazirat kombëtare do t’i heqin rritjes së Produktit të Brendshëm Bruto 0.1%. Ngadalësimi do të jetë një sfidë për Macron, që përballet me presione të mëdha për të ulur taksat dhe kostot e sigurisë sociale, duke mbajtur deficitin poshtë kufirit të Bashkimit Europian.
“Ndikimi në ekonominë franceze do të jetë i ashpër. Mendoj që është një lajm i keq për Francën, për pronarët e bizneseve, për bizneset e vogla e të mesme, për artizanët, për ata që mbanin shpresat te shitjet e fund vitit për të rritur të ardhurat e mbase për të paguar më shumë punonjësit e vetë. Kjo nuk do të jetë më e mundur.” – deklaroi Ministri francez i Financave, Bruno Le Maire
Ndikime ka patur edhe në tregjet financiarë. Interesat e borxhit të qeverisë franceze u rritën ndjeshëm ditën e Hënë, duke e çuar hendekun me borxhin gjerman në nivelin më të lartë në 8 muaj, në rreth 0.46%. Në bursën e Parisit, operatori i aeroporteve ADP ra me 1%, ndërsa shitësit me pakicë si Carrefour, Casino dhe FNAC Darty kanë humbur më shumë se 1.6%. Kompanitë e hoteleve kanë pësuar gjithashtu rënie. Presidenti Macron ka marrë kritika për heshtjen në publik përballë dhunës në Paris. Kundërshtarët e kanë akuzuar atë se e ka kthyer pallatin Elysee në një bunker.
Ministri i Financave tha se vendi është i ndarë mes atyre që mendojnë se globalizimi ka sjellë përfitime dhe atyre që thonë se globalizimi përbën një kërcënim. Le Maire shtoi se është roli i Presidentit që të bashkojë vendin.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.