Macron, gati shkurtimet – Rritja më e fortë ekonomike thjeshton planet e presidentit

Franca është angazhuar publikisht që të shkurtojë deficitin buxhetor këtë vit dhe atë të ardhshëm, brenda normave të lejuara nga Bashkimi Europian, tha ministri francez i financave, Bruno Le Maire.
Ai nënvizoi se, diçka e tillë vjen vetëm falë rishikimit të projeksioneve, që flasin për një rritje më të madhe ekonomike. Ndër të tjera, rritja e fortë e ekonomisë së dytë më të madhe të Europës, do të thotë gjithashtu se, presidenti Macron mund të shkurtojë më pak shpenzimet në buxhetin e vitit të ardhshëm, tha le Maire.
Planet flasin për 16 miliardë euro shkurtime në shpenzime, nga 20 miliardë euro që vlerësohej më parë. 10 miliardë euro ndërkohë janë shkurtime taksash.
Sipas tij, qeveria projekton që, këtë vit, defiçiti buxhetor të zbresë në 2.9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, dhe 2.6% vitin e ardhshëm. Më parë projektohej një normë në 3% dhe 2.7% respektivisht. Norma prej 3% është kufiri i lejuar në rregullat e përbashkëta europiane.
Ulja e defiçitit, brenda rregullave, ka qenë edhe një ndër premtimet kryesore të presidentit Macron. Ky do të ishte viti i parë që prej 2007, që Franca nuk e thyen këtë rregull.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.