Macron kryeson sondazhet – Hyn në debatin e parë televiziv si favorit në garë

Në prag të debatit të parë televiziv të garës presidenciale në Francë, ku përballë njëri-tjetrit do të jenë të pestë kandidatët, sondazhet nxjerrin si favoritin kryesor Emmanuel Macron të qendrës së majtë, i cili deri pak kohë më parë mbante postin e Ministrit të Ekonomisë nën presidencën Hollande.
Sondazhet tregojnë se, Macron do të fitonte 26.5% të votave në raundin e parë të zgjedhjeve që do të mbahen më 23 prill. Marine le Pen e ekstremit të djathtë do të fitonte 26% të votave.
Në raundin e dytë Macron do të mundte le Pen me 64% të votave.
Sondazhet e nxjerrin Francois Fillon në vend të tretë me 19%, ndërkohë që dy kandidatët e majtë, ai socialist Hamon dhe ai i ekstremit të majtë, Jean Luc Melenchon marrin 12% të votave.
Debati presidencial, ndërkohë, shihet me rëndësi të veçantë kryesisht për kandidatin republikan, Francois Fillon, i goditur nga një skandal i gjerë. Ky debat do të vendosë nëse ai do të hyjë dot realisht në garë.
Deri në muajin dhjetor, përpara skandalit, ai vlerësohej si pretendenti kryesor për të zëvendësuar Francois Hollande.
Sot, ai i ka lënë vendin Emmanuel Macron, ish-bankier 39-vjeçar i cili ka një program mjaft të detajuar ekonomik si dhe një qëndrim pro europian.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.