Macron mund Le Pen – Fiton debatin e parë televiziv, thellon epërsinë

Emmanuel Macron duket se ka thelluar epërsinë ndaj rivalëve të tij pas debatit të parë televiziv në Francë mes 5 kandidatëve në garë. Macron hynte në debat si favorit në sondazhe, e mesa duket do të vijojë të jetë i tillë deri në datën e zgjedhjeve.
Sondazhet e menjëhershme nxjerrin Macron fitues të debatit të parë. Strategjia e 39 vjeçarit, rezultoi e suksesshme, pasi i drejtoi sulmet ndaj rivales së tij kryesore në garë, Marine Le Pen të ekstremit të djathtë.
Dy kandidatët u përplasën për çështjen e emigrantëve dhe atë të Bashkimit Europian, ku ndajnë edhe qëndrime krejt të kundërta. Deri më 23 Prill, kur do të mbahet edhe raundi i parë i zgjedhjeve, do të zhvillohen edhe dy debate të tjera televizive mes kandidatëve. Këto debate vlerësohen si mjaft të rëndësishme, pasi 40% e votuesve shprehen se nuk janë të sigurt se kë do të votojnë mes kandidatëve.
Surpriza e debatit mbetet Jean Luc Melenchon, i cili ka zënë vendin e dytë, me 20% të votave të publikut, kundrejt 29% të Macron. Le Pen dhe kandidati republikan, Fillon, u renditën në vendin e tretë dhe të katërt, ndërkohë që kandidati socialist zë vendin e fundit. Melenchon përfaqëson një tjetër ekstrem në këto zgjedhje, atë të majtë.
Fillon ndërkohë deklaroi se ai ka faje dhe se ka bërë gabime, gjë që e bën kushdo, por se nga ana tjetër ka eksperiencë. Macron ndërkohë u akuzua nga kandidati socialist gjatë debatit se në rast se shpallet ai presidenti i ardhshëm i Francës mund të bjerë nën influencën e lobeve farmaceutike, bankave apo industrisë së naftës, duke pasur parasysh edhe të shkuarën e tij si ish bankier.
Macron i hodhi poshtë akuzat duke thënë se ai është kandidati i vetëm që nuk po bën fushatë me fonde publike.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.