Macron, thirrje Britanisë – “Rrezikon të dalë automatikisht pa marrëveshje nga Europa”
Presidenti francez, Emmanuel Macron, i bëri thirrje Britanisë këtë javë, që të gjejë një zgjidhje mbi ngërçin e Brexit, përpara samitit në Bruksel javën e ardhshme. Macron paralajmëroi se vendi rrezikon që të dalë automatikisht pa marrëveshje nga Bashkimi Europian.
“Refuzimi i marrëveshjes së Theresa May 3 herë në parlament si dhe hedhja poshtë e të gjitha alternativave, nënkupton se po i drejtohemi daljes së ç’rregullt. Këshilli Europian vendosi se i takon Britanisë që të prezantojë një alternativë të besueshme, të mbështetur nga shumica, deri më 10 Prill. Nëse vendi dështon të gjejë një zgjidhje pas 3 vitesh nga referendumi, do të pranohet dalja pa marrëveshje.”
Presidenti francez foli pasi takoi kryeministrin e Irlandës Leo Varadkar dhe shtoi se i takon Britanisë që të vendosë, qoftë për zgjedhjet e parakohshme, referendumin apo unionin doganor. Presidenti tha se e kupton vështirësinë që po përballet Irlanda dhe shtoi se nuk do ta braktisin kurrë vendin. Leo tha se nëse situata vazhdon kështu, do të ndodhe dalja nga Bashkimi Europian më 12 Prill, pa një marrëveshje.
“Megjithatë, ka ende kohë për Theresa May që të paraqesë propozime ndaj Këshillit Europian, që janë të besueshme. Jam i hapur për të ndihmuar kryeministren, që të ratifikojë marrëveshjen e divorcit, përfshirë masën parandaluese të Irlandës.”
Kryeministri i Irlandës shtoi se liderët europian duhet të jenë të hapur për çdo propozim të besueshëm që prezanton Theresa May.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.