Macron thotë se Franca dhe India do të punojnë sëbashku për klimën

Liderët e Francës dhe Indisë u zotuan se do të punojnë sëbashku për të ulur lëshimet e karbonit në atmosferë, duke rikonfirmuar përkushtimin ndaj marrëveshjes së Parisit. Ky bashkëpunim vjen si përgjigje ndaj vendimit të Presidentit të SHBA Donald Trump për të dalë nga pakti i klimës.
“Në një luftë për planetin tonë, ne punojmë krah për krah”, tha Presidenti Francez Emmanuel Macron të shtunën, pas takimit me kryeministrin indian Narendra Modi.
Ndonëse asnjë nga liderët nuk e përmendën Trump, të dy vlerësuan angazhimin e tyre ndaj akordit të Parisit, për të cilin presidenti i SHBA tha se është i dëmshëm për ekonomikë amerikane.
“Ne kemi një përgjegjësi të përbashkët për të mbrojtur planetin tonë mëmë”, tha Modi.
“Ne jemi tërësisht të angazhuar në frontin politik, ekonomik dhe mjedisor. Jemi të përkushtuar për paktin e Parisit dhe do të vazhdojmë me të, e më pas do të vazhdojmë përtej marrëveshjes së Parisit”, vijoi Modi.
Franca është vendi i 17-të për nga lëshimet e karbonit, ndërsa India është vendi i tretë. Në total, BE do të ishte emetuesi i tretë më i madh, duke e shtyrë Indinë në vendin e katërt.
Ndërkohë presidenti Macron u shpreh se kishte pranuar një ftesë nga Modi për të vizituar Indinë më vonë gjatë këtij viti, në një takim ku promovohet energjia diellore.
Dy liderët u zotuan gjithashtu në luftën kundër terrorizmit dhe bashkëpunimin në projekte të energjisë, transportit, industrisë dhe edukimit.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.