Macron, vizitë në Serbi – Premton rifillimin e bisedimeve Prishtinë-Beograd
Presidenti i Francës, Emanuel Macron, po zhvillon një vizitë 2-ditore në Serbi, ku fillimisht është pritur në aeroportin “Nikola Tesla” të Beogradit nga Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç. Ndërsa në konferencën e përbashkët për mediat, Macron tha se mbështesë rifillimin e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, brenda disa javësh, për të normalizuar marrëdhëniet mes dy vendeve. Ai shtoi se, do të organizojë një takim në Paris, ku e ftuar do të jetë edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel.
“Nëse Europa dëshiron të jetë e fortë në momentet me të cilat po jeton sot, kjo duhet bërë me vendosmërinë për të ndihmuar Serbinë dhe Kosovën të gjejnë një marrëveshje. Mendoj se është veçanërisht përgjegjësia jonë, në të gjitha rastet, e shoh në këtë mënyrë. Dua t’ju jap mbështetjen thelbësore për kompromis dhe për stabilitet në rajon”, u shpreh Macron.
Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç tha se i ka kërkuar Macron ndihmën për integrimin e Serbisë në Bashkimin Europian, por nuk ka marrë një premtim. “Duhet të kuptojnë se ka vende që kanë një opinion të ndryshëm në lidhje me çështjen e Kosovës. Macron është ndër të paktët persona, së bashku me kancelaren Merkel, që dëgjon edhe qëndrimin tonë. Nuk mund t’ju them se kemi arritur në zgjidhe të mëdha gjatë këtij takimi. Nuk jam këtu për të folur keq për shqiptarët, apo për këdo tjetër, përkundrazi. Ne dëshirojmë paqe dhe marrëveshje. Pjesa tjetër tani është në duart e presidentit Macron” tha ai.
Gjatë vizitës së tij në Serbi, presidenti francez shoqërohet edhe nga disa biznesmenë dhe investitorë, ku është diskutuar edhe për bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve, ndërsa janë firmosur 20 marrëveshje të ndryshme, duke filluar nga ekonomia e deri tek ushtria.
Lidion Kulla / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.