“Made in Germany” vazhdon rënien – Ekonomia më e madhe e Europës i afrohet recesionit
Porositë për mallrat industrial në Gjermani ranë më shumë se sa pritej në Gusht, prej kërkesës së dobët brenda vendit, duke treguar se tkurrja e manifakturës po e çon ekonominë më të madhe të Europës në recesion.
Kontratat për mallrat “Made in Germany” ranë me 0.6% nga muaji i kaluar, ndërkohë që kërkesa për mallrat kapitale humbi 1.6%, sipas të dhënave të Ministrisë së Ekonomisë. Analistët thonë se ekonomia gjermane ndodhet në prag të recesionit dhe të dhënat e fundit e përforcojnë këtë.
Produkti i Brendshëm Bruto u tkurr me 0.1% në tremujorin e dytë dhe të dhënat e fundit tregojnë për një vazhdim të ngadalësimit në manifakturë edhe në tremujorin e tretë. Ekonomistët e përkufizojnë recesionin me dy tremujorë radhazi të rënies së PBB.
Sipas analistëve, Qeveria gjermane do të vendoset nën presion për të braktisur planet e buxhetit të balancuar, duke shtuar shpenzimet për të dalë nga kriza. Qeveria i ka injoruar deri më tani thirrjet nga ekonomistët dhe qeveritë e tjera për të shtuar shpenzimet.
Ministri i Financave Olaf Scholz tha javën e kaluar se Gjermania mund t’i bëjë ballë një krize ekonomike dhe shtoi se nuk pritet një situatë e ngjashme me vitin 2008.
Prodhuesit gjerman që varen nga eksportet po përballen me një rënie të kërkesës nga jashtë, për shkak të ngadalësimit të ekonomisë botërore, pasigurisë së bizneseve nga lufta tregtare si dhe dalja e Britanisë nga Bashkimi Europian.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.