Maduro “djeg” ndihmat nga jashtë-Kthen mbrapsht kamionët me ushqime! Guaido kërkon ndërhyrje
Besnikët e presidentit Nicolas Maduro refuzuan me dhunë ndihmat e jashtme në kufijtë e Venezuelës, duke vrarë 2 protestues. Kjo bëri që lideri i opozitës të propozojë që Washingtoni të konsiderojë të gjithë alternativat për ta larguar Maduro nga pushteti.
Kamionët e mbushur me ushqime dhe barna nga Shtetet e Bashkuara u rikthyen në magazinat e Kolumbisë, ndërkohë që mbështetësit e opozitës dështuan të kalojnë përmes trupave të Maduro, që përdorën dhunë, duke plagosur dhjetra njerëz. Sipas dëshmitarëve në protestë, persona të maskuar si civilë, kanë përdorur armë zjarri kundër protestuesve.“Ndodhia e sotme na detyron që të marrim një vendim, për t’i propozuar në mënyrë formale komunitetit ndërkombëtar që të konsiderojë të gjithë alternativat për të sjellë lirinë te vendi ynë”, shkroi Guaido në Twitter.
SHBA ka qenë mbështetësi kryesor i huaj i Guaido, i cili u vetëshpall president i përkohshëm i Venezuelës muajin e kaluar.
Trump ka thënë në të shkuarën se ndërhyrja ushtarake në Venezuelë përbën një alternativë. Opozita shpresonte që ushtria e Venezuelës të pranonte furnizimet e nevojshme për vendin, pasi më shumë se 30 milionë njerëz vuajnë nga kequshqimi dhe sëmundjet e trajtueshme.
Por, rreshtat e ushtarëve të Gardës Kombëtare nuk u tërhoqën dhe lëshuan gaz lotsjellës drejt kamionëve me ndihma. Në kufirin e Urena, dy kamionë me ndihma u pushtuan nga flakët dhe protestuesit u përpoqën të nxirrnin furnizimet me ushqim. Guaido tha se do vazhdojë t’i kërkojë Maduro që të lejojë ndihmat drejt vendit. “Sot, e gjithë bota pa fytyrën e vërtetë të diktaturës së Venezuelës”, tha Guaido në një konferencë në Kolumbi.
Nicolas Maduro, duke mos pranuar mbështetjen e presidentit të Kolumbisë, Ivan Duque për Guaido, ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Kolumbinë. Maduro thotë se vendi i pasur me naftë nuk ka nevojë për ndihma ndërkombëtare dhe akuzon Guaido se po nxit një grusht të shtetit, të orkestruar nga presidenti Donald Trump.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.