“Maersk” largohet nga energjia – Shet njësinë e naftës te “Total”, për 7.45 mld dollarë

Kompania më e madhe e naftës në Francë, “Total”, do të blejë njësinë “Maersk Oil” nga firma daneze e transportit në det, në një marrëveshje prej 7.45 miliardë dollarë.
Kompania daneze Moller-Maersk po shet njësinë e energjisë ndaj Total, për t’u përqendruar në aktivitete të tjera përfshirë biznesin e kontejnerëve. Nën kushtet e marrëveshjes, firma daneze do të marrë 4.95 milionë dollarë në aksione të Total dhe kompania franceze do të zotërojë 2.5 miliardë dollarë borxh të Maersk Oil.
Maersk deklaroi se planifikon të kthejë një pjesë të vlerës së marrë nga aksionet e Total drejt aksionerëve në vitet 2018-2019, në formën e dividentëve të pazakontë apo riblerjes së aksioneve. Shitja vjen në një kohë të ristrukturimeve të mëdha të Maersk, ku do të përqendrohet në biznesin e transportit dhe logjistikës, ndërkohë që largon operacionet e energjisë prej rënies së të ardhurave.
“Transaksioni do të rrisë gradualisht fluksin e parasë dhe të ardhurat për aksion, si dhe do të përshpejtojë zgjerimin e kompanisë në vitet e ardhshme”, tha kreu ekzekutiv i firmës franceze të naftës Patrick Pouyanne. Aksionet e Maersk u rritën me 4.3% në hapje të sesionit tregtar, ndërsa vlera në treg e Total ra me 0.5%.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.