Magjistratet në Vetting – Pranë konfirmimit Gjyqtarja Kosova dhe Prokurorja Antoneta Sevdari
Pas shkarkimit të dy anëtarëve të Gjykatës së Lartë, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka vijuar të martën me dy seanca dëgjimore, me Gjyqtaren e Apelit të Krimeve të Rënda Nertina Kosova, e më pas me Prokuroren e Tiranës Antoneta Sevdari. Që të dyja i janë nënshtruar me përparësi procesit të rivlerësimit duke qenë se janë kandidate përkatësisht për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Gjyqtarja Nertina Kosova zotëron një apartament më sipërfaqe 120 metra katrorë në Tiranë, blerë në vitin 2006 përmes një kredie bankare prej 5 milionë lekësh. Asaj i është dashur të japë shpjegime për shtesën prej 1 milionë lekësh për blerjen e apartamentit, duke argumentuar se shuma në fjalë është siguruar nga kursimet familjare bashkë me prindërit. Ajo është vlerësuar gjithashtu e përshtatshme për dy komponentët e tjerë të Vetting-ut, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale.
Prokurores së Tiranës Antoneta Sevdari i është dashur të japë shpjegime mbi një sipërfaqe tokë arë prej 350 metra katrorë në Tiranë të përdorur për ndërtimin e një shtëpie të legalizuar në vitin 2013, si dhe për një apartamenti me sipërfaqe 101 metra katrorë me vlerë 97,500 euro. Sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Sevdari i zotëron burimet e nevojshme financiare për të justifikuar këto dy prona.
Vendimi përfundimtar për konfirmimin apo shkarkimin nga detyra të dy magjistrateve do të jepet ditët në vijim.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.