Makinat elektrike vënë në lëvizje nxjerrësit e nikelit – A mund të përfitojë Shqipëria?

Prodhuesit e baterive janë duke u kthyer gjithmonë e më tepër nga nikeli për të nxitur shitjet botërore të makinave elektrike, por sipas analistëve, vetëm gjysma e prodhuesve të këtij metali në botë kanë gjasa të përfitojnë.
Bateritë me litium që përmbajnë nikel, të cilat ndihmojnë të mbajë karikim në distanca të largëta, po instalohet në makinat elektrike që nga modelet më të mira të Tesla si Model X, e deri të modelet modeste si Chevy Bolt nga General Motors.
Bumi i baterive premton një treg të ri dhe të rritje për nxjerrësit e produkteve të nikelit të cilësisë së lartë. Por, gjysma e rezervave botërore të metalit, të ashtuquajtur ferronikel dhe NPI, janë të papështatshëm për prodhim baterish sipas analistëve.
Shqipëria duket se do të mbetet në anën e papërfshirë të botës, pasi prodhon kryesisht hekur-nikel, me depozitat kryesore që gjenden në Rajonet e Librazhdit, Prrenjasit, Bilishtit, Has-Kukës-Joshur.
Por krahas ferronikelit, në vendin tonë llogariten edhe depozita të mëdha nikel-silikati, i cili funksionon më së miri për materialin e katodës së baterive elektrike me ione litiumi.
Një studim i Nëntorit të vitit 2015 për dy vendburime, atë të Kokogllavës dhe atij të Stranës në Bilisht, del në përfundimin se minierat mund të shfrytëzohen për 12-19 vjet nëse do të zbatohet një kapacitet nxjerrësh prej 1.5-2.5 milionë ton në vit. Megjithatë kjo sasi rezervë jepet së bashku me ato të mineralit të hekur-nikelit, çka do të thotë se rezerva e nikel-silikatit mund të jetë më e ulët.
Të dhënat për këto dy minerale, të marra së bashku llogarisin rezervat gjeologjike në rreth 364 milionë ton në të gjithë vendin.
Kërkesat për nikel janë rritur tashmë dhe çmimi është ngritur me 17% brenda vitit në 11,725 dollarë për ton, edhe pse mbetet shumë larg pikut të vitit 2014 në 21,300 dollarë për ton.
Prodhuesit e automjeteve presin që raporti i nikelit në një bateri të zakonshme të rritet 8 herë teksa makinat elektrike bëhen më popullore. UBS llogarit se deri në vitin 2025 do të ketë 15 milionë automjete elektrike në rrugë, duke ngritur kërkesat për nikel me 300 mijë-900 mijë ton, ose me 10-40% të tregut aktual.
Kjo ka bërë që shumë miniera të braktisura të fitojnë një shans të dytë, si ato në Brazil dhe Australi, të cilat nuk kishin përfitime me çmimet e sotme, por që mund të rikthehen me fitime me ngritjen e çmimit.
Nësa nga mania për t’iu rikthyer nikelit do të përfshihet edhe Shqipëria kjo nuk dihet ende, por ajo që dihet është se vendi ynë apo kompanitë që duan të shfrytëzojnë rezervat shqiptare duhet të veprojnë shumë shpejt pasi prodhuesit e mëdhenj e kanë përshpejtuar tashmë ritmin.
Disa prej tyre si BHP Norilsk Nikel dhe Sumitomo Corp po lëvizin për të firmosur marrëveshje afatgjata për furnizimin e prodhuesve të baterive. Nga kjo situata pritet të përfitojnë edhe prodhuesit e vegjël, të cilët po ndërtojnë uzina për shndërrimin e metalit në një sulfat në formë pluhuri, i cili është shumë i përshtatshëm për përdorimin në bateri.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.