Makinat që vetëdrejtohen, Apple i bashkohet kompanive që po testojnë teknologjinë

“Apple” ka marrë lejen në Kaliforni për të testuar makina pa shofer dhe kjo shton zërat se kompania po punon mbi një teknologji të makinave që vetëdrejtohen. Tashmë numri i lojtarëve që duan të marrin sa më parë një copë nga torta e këtij tregu është shtuar shumë. Kompanitë e tjera që kanë marrë leje janë Google, Ford, Volkswagen, Daimler, Tesla dhe General Motors.
Leja e siguruar nga Drejtoria e Automjeteve thotë se kompania mund të bëjë xhiro testimi me 6 shoferë në 3 makina. Makinat janë tre Lexus RX450h të vitit 2015, sipas kësaj drejtorie.
Apple nuk e ka pranuar kurrë hapur se po punon për të ndërtuar një makinë elektrike, por gjatë viteve të fundit ajo ka punësuar me dhjetëra ekspertë automjetesh.
“Kjo leje konfirmon atë që përflitet prej kohësh: Apple po teston idenë se mund të futet në tregun e makinave të vetëdrejtuara në një mënyrë apo tjetrën”, thotë Chris Theodore, ish zëvendëspresident pranë Ford dhe Chrysler.
Vetë zëdhënësi i kompanisë refuzoi të japë përgjigje mbi domethënien e këtyre testimeve, por Steve Kenner, drejtor produktesh pranë Apple tha se kompania po investon në studimin e automatizimit dhe mësimit të makinerive.
“Jemi shumë të entuziazmur për potencialin e sistemeve të automatizuara në shumë fusha, përfshirë edhe transportin”, tha ai.
Gjithsesi kjo nuk tregon se kompania po përpiqet të krijojë një makinë. Opsioni më i mundshëm është që Apple po zhvillon një software vetëdrejtimi, të cilin më pas mund t’ua shesë kompanive të ndryshme të automjeteve.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.