Mali i Zi interes për “IAP” – Gazsjellësi Adriatiko-Jonian, potencial për rajonin

“Mali i Zi ka një interes të madh për të marrë pjesë në ndërtimin e gazsjellësit “Adriatiko-Jonian”, deklaroi kryeministri i vendit, Dushko Markoviç.
Gazsjellësi adriatiko-jonian, është një zgjatim i atij trans-adriatik, dhe do të lidhë Shqipërinë më Malin e Zi, Bosnje Hercegovinën dhe Splitin në Kroaci.
Konsorciumi që ka në pronësi gazsjellësin trans-Adriatik, ka nënshkruar memorandume bashkëpunimi me kompanitë kroate, boshnjake dhe sllovene të gazit, si dhe me qeveritë e Shqipërisë dhe Malit të Zi.
Gazsjellësi adriatiko-jonian do të bëjë të mundur furnizimin me gaz të Europës jug-lindore me gazin azer, që do të vijë nëpërmjet atij trans-anatollian e më pas nëpërmjet atij trans-Adriatik.
Për të bërë të mundur zgjerimin e TAP më lart në rajon, është krijuar tashmë edhe një grup i përbashkët pune. Mali i Zi, duket se nuk do të humbasë kohë, tashmë që gjërat janë vënë në vijë.
Korridori jugor i gazit është duke ecur me ritme të shpejta, dhe askush nuk do ta humbasë mundësinë e përftimit, jo vetëm duke marrë gaz me çmim të lirë por edhe duke i dhënë një shtysë ekonomisë së vendit.
Një projekt i tillë, qindra milionë dollarësh, do t`i mundësonte Malit të Zi, një rritje më të shpejtë ekonomike si dhe mundësi të pafundme shfrytëzimi.
Roel Korkuti/RTV SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.