“Mallkimi” i bregdetit – Në Vlorë, Durrës dhe Fier përqendrohen 68% e bizneseve në faliment
Janë gjithsej 119 biznese në të gjithë Shqipërinë të cilat janë futur në proces falimenti nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Kjo shifër është pa llogaritur atë të njësisë së tatimpaguesve të mëdhenj që e çon shifrën totale në 132.
Po të shohim sesi janë shpërndarë këto biznese në faliment nëpër Shqipëri, vëmë re disa të dhëna mjaft interesante. Shpërndarja e pabarabartë është një mister më vete.
Vlora dhe Durrësi së bashku zënë 53% të totalit. Vetëm Vlora ndërkohë, që është në vend të parë të listës me 36 biznese, zë 30% të totalit. Pra, thuajse një në tre biznese që janë çuar në procedurë falimenti nga tatimet e ka bazën në Vlorë.
Ndjek Durrësi me 23% të totalit, pra thuajse një në 4 biznese. Në vend të tretë është po një qytet bregdetar, Fieri, me 18 biznese, ose 15.4% e totalit.
Për çudi, kryeqyteti numëron vetëm 8 kompani në procedura falimenti, por këtu duhet theksuar se kanë origjinën pjesa dërrmuese e të ashtuquajturve biznese VIP.
Kukësi, Berati, Dibra dhe Lezha ndërkohë, si drejtori tatimore rajonale numërojnë zero raste biznesesh në procedurë falimenti. Korça numëron vetëm 2, Saranda 4, Shkodra 5, Gjirokastra 10, Elbasani 9.
Pra, në vend të parë të listës qendrojnë tre qytete bregdetare, Vlora, Durrësi dhe Fieri, që së bashku zënë 68% të totalit të bizneseve në faliment në të gjithë Shqipërinë.
Përjashtim ndërkohë bëjnë Lezha dhe Saranda, por që kanë përmasa bindshëm më të vogla të prezencës së sipërmarrjes, sidomos asaj më vulnerabël ndaj lupës së tatimeve, e që në pjesën dërrmuese është biznesi i mesëm apo i madh.
E ndërkohë që në praktikën universale dalja në det dhe turizmi, e sidomos prania e portit e bën biznesin që të lulëzojë, duket se në Shqipëri ndodh krejt e kundërta, çka e bën praktikisht biznesin të mallkuar në qytetet bregdetare.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.