Mallrat e akcizës – Shkodra e Durrësi, qytetet nga bëhet më shumë kontrabandë

Në vitin 2016, organet e prokurorisë në vend kanë hetuar 54 raste të kontrabandës së mallrave të akcizës, duke dënuar 27 persona për këtë vepër. Sipas të dhënave zyrtare të siguruara nga Televizioni SCAN, numri i procedimeve për këtë vepër ka rënë me 5% krahasuar me një vit më parë.
Shkodra rezulton qyteti me numrin më të madh të procedimeve të regjistruara nga Prokuroria për veprën penale të kontrabandës me mallrat e akcizës, duke zënë 31% të totalit të rasteve të hetuara. Në vend të dytë renditet Durrësi, të cilit i takojnë 15% e hetimeve për këtë vepër penale në rang vendi.
Kontrabanda me mallra që paguhet akcizë është parashikuar në nenin 172 të kodit penal. Importimi, eksportimi apo tranzitimi i mallrave që paguhet akcizë nëpërmjet kalimit jashtë pikave doganore, fshehjes së pjesshme apo të plotë, mosdeklarimit të saktë në doganë, deklarimit të rremë për natyrën, llojin, cilësinë, çmimin, destinacionin e mallit apo të tjera forma që kanë për qëllim shmangien nga detyrimet doganore, dënohen me gjobë ose me burgim deri në shtatë vjet.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.