Mallrat pa prokurim publik, APP: Mos copëtoni fondet. Do të konsiderohet shpërdorim detyre
Agjencia e Prokurimit Publik i është drejtuar përmes një njoftimi publik të gjithë autoriteteve kontraktore në lidhje me një fenomen që lind nga ndryshimet e fundit nënligjore të rregullave të prokurimit publik.
Një nga risitë që solli ndryshimi i rregullave është mos zhvillimi i procedurave të prokurimit për objekte, mallra dhe shërbime, të cilat janë parashikuar të zhvillohen nga autoritetet kontraktore me vlerë nën 100 mijë lekë. Gjithsesi për këto objekte është parashikuar përfshirja në regjistrin e parashikimeve të procedurave të prokurimit.
Parashikimi në këtë rast duhet të jetë për të njëjtin mall apo shërbim gjatë gjithë vitit kalendarik dhe nuk duhet të kalojë kufirin maksimal prej 100 mijë lekësh.
Me qëllim shmangien e fenomenit të copëzimit të fondeve publike, APP u vë në dukje autoriteteve kontraktore se nuk lejohet pjesëtimi apo ndarja e vlerës së kontratës publike me qëllim shmangien nga dispozitat e ligjit, e për rrjedhojë mos zhvillimin e prokurimit publik.
Sipas njoftimit të firmosur nga kreu i këtij institucioni, Reida Kashta, çdo shkelje e ligjit e konstatuar do të referohet si shpërdorim detyre për personat përgjegjës pranë autoriteteve kontraktore.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.