Malpass lavdëron Kinën – Kreu i ri i Bankës Botërore e cilëson Kinën si një histori suksesi
Presidenti i Bankës Botërore, David Malpass, theksoi gatishmërinë për të ndërtuar një marrëdhënie konstruktive me Kinën, gjatë fjalimit të parë për shtyp që kur mori detyrën më herët gjatë javës.
Malpass tha se si president i ri i Organizatës, ai do të vazhdojë të ndihmojë vendet në zhvillim që të arrijnë një rritje më të mirë ekonomike, duke ofruar kredi dhe udhëzime. Ai theksoi ngadalësimin ekonomik në vendet e zhvilluara dhe e lidhi me 3 sfida kryesore që po përballet bota; ngadalësimi i reformave strukturore, krizat financiare në disa vende në zhvillim dhe rritja e pasigurive në sferën politike.
Varfëria ekstreme në të gjithë botën ka rënë në 700 milionë, poshtë niveleve të larta të viteve 90 dhe 2000. Megjithatë, numri i personave që jetojnë në varfëri ekstreme po rritet në Afrikë dhe Malpass tha se norma atje do të arrijë në 1 në 10 persona deri në 2030-ën. Ndërkohë që Kina ka pasur sukses në reduktimin e varfërisë në të shkuarën, presidenti i Bankës Botërore tha se synon marrëdhënie konstruktive me Kinën dhe bashkëpunim më të madh.
“Ne ndajmë të njejtën perspektivë që reduktimi i varfërisë dhe prosperiteti janë objektivat kryesorë që jo vetëm Banka Botërore, por të gjitha vendet duhet të ndjekin. Kina ka pasur sukses të madh në reduktimin e varfërisë.” -tha David Malpass.
Kreu i ri i Bankës Botërore lavdëroi gjithashtu arritjet e Kinës në dekadat e fundit, duke thënë se vendi ka pësuar një ndryshim dramatik, duke u kthyer në një lojëtar të fortë ekonomik në arenën botërore.
Klevis Llaha
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.