Manastirliu firmos urdhrin – Regjim i ri në spitale, oraret e vizitave të familjareve

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka firmosur urdhrin për regjimin e disiplinës dhe rregullave për aksesin e vizitorëve. Me regjimin e ri, në çdo spital universitar, rajonal apo bashkiak, janë përcaktuar orare fikse të vizitave të familjarëve dhe është ndaluar prezenca e familjarëve në Urgjenca, përveç rasteve kur kërkohet nga mjeku.
Konkretisht, vizitat e familjarëve në shërbimet me shtretër do të kryhen dy herë në ditë, paradite nga ora 12:00 – 13:00 dhe pasdite nga ora 17:00 -19:00. Ndërsa vizitat në shërbimin e reanimacionit spitalor për familjarët e pacientëve të shtruar në reanimacion do të kryhen dy herë në ditë në orën 11:00 – 12:00 dhe 18:00 – 19:00. Këto orare do të jenë të afishuara në çdo hyrje spitali dhe pavione.
Sipas Urdhrit të Ministres, spitalet universitare, rajonale dhe bashkiake ngarkohen për të hartuar rregulloret e brendshme, duke marrë masa për të afishuar në çdo hyrje spitali dhe pavione, në stendat e informacionit dhe këto rregulla duhet të ndiqen dhe respektohen nga familjarët e pacientëve të pranuar në shërbimet spitalore.
Spitalet universitare, rajonale dhe bashkiake do të marrin masa të vendosin disiplinimin dhe rregullin në shërbimet e urgjencës, duke mos lejuar prezencën e personave të pa-autorizuar që nuk marrin shërbim shëndetësor, duke krijuar ambiente të posaçme për pritjen e familjarëve dhe komunikimin me mjekët, por nuk do të lejojnë familjarë në ambiente ku ofrohet shërbimi I urgjencës. Përjashtim bën rasti kur mjeku vlerëson praninë e një familjari
Reagimi i ministrisë ka ardhur pas ngjarjes së ndodhur dita ditë më parë, kur një familjar dhunoi fizikisht mjekun roje të urgjencës së spitalit infektiv, ndërsa po u shërbente pacientëve.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.