Manastirliu: Mamografi falas në të gjithë vendin, shërbim edhe pasdite
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, çeli fushatën e ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, duke ftuar të gjitha gratë, që të mos neglizhojnë kontrollin, pasi diagnostikimi i hershëm mund t’ju shpëtojë jetën.
“Vetëm gjatë vitit të fundit, ne kemi dyfishuar shërbimin e mamografisë, duke ofruar për herë të parë këtë shërbim në Dibër, Kukës dhe Gjirokastër si dhe nëpërmjet mamografëve të lëvizshëm, shërbimi ofrohet falas në të gjithë vendin” – tha Manastirliu, në Poliklinikën e Specialiteteve nr. 3 në Tiranë.
Ministrja vizitoi gjithashtu edhe spitalin Onkologjik, ku tha se përmirësimi i trajtimit të sëmurëve me kancer, përsa i përket medikamenteve, por edhe radioterapisë, ka bërë të mundur që pavarësisht rritjes së incidencës së kësaj sëmundjeje, niveli i vdekshmërisë nga kanceri i gjirit në vendin tonë, të mos rritet.
“Siguruam për herë të parë trajtimin e plotë falas me herceptinë (për herë të parë edhe me formën e re subcutane) dhe përveçse në Tiranë, gratë që vuajnë nga kjo sëmundje nuk e kanë më të nevojshme të paraqiten në spitalin Onkologjik për të vijuar trajtimin, por e marrin atë afër vendbanimit, në 5 spitale rajonale” – tha Manastirliu.
Gjatë të gjithë muajit Tetor, i cili është edhe muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, mamografitë në të gjithë shërbimin publik do të jenë falas dhe do të ofrohen edhe pasditeve, si dhe të shtunave, për t’iu dhënë mundësi sa më shumë grave, të kryejnë ekzaminimin e gjirit. Kanceri i gjirit është kanceri më i shpeshtë te gratë në Shqipëri dhe rastet e reja të raportuara vijojnë të rriten çdo vit. Vetëm gjatë 9-muajve të këtij viti, janë shënuar 513 raste të reja me kancer gjiri.
e.t/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.