Manastirliu në qendrën e rehabilituar në Babrru: 103 mjekë i shtohen qendrave shëndetësore në gjithë brenda muajit shkurt

“103 mjekë familje kanë aplikuar për t’u punësuar në sistemin shëndetësor parësor dhe pritet të punësohen në qendrat shëndetësore dhe pikat e ambulancave në të gjithë vendin brenda muajit Shkurt”. Deklarata ka ardhur nga Ministrja Manastirliu, gjatë inspektimit në qendrën e rehabilituar shëndetësore Babrru, në zonën e Paskuqanit.
Më tej ministrja shtoi se po ndërtohet platforma “Mjekë për Shqipërinë”, një dritare e hapur për të gjithë mjekët që duan t’i bashkohen sistemit publik, të aplikojnë e të punësohen në qendrat shëndetësore dhe spitalet në të gjithë vendin.
“Është një thirrje për çdo mjek që sapo është diplomuar dhe pritet të marrë licencën e ushtrimit të profesionit si dhe për çdo mjek që do të punësohet qoftë në qendra shëndetësore apo edhe spitale, të aplikojë për t’u punësuar në sistemin publik”, tha Manastirliu.
Ndërkohë, sa i përket Qendrës Shëndetësore Babrru, ajo është rikonstruktuar plotësisht në kuadër të programit kombëtar të rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore. Kjo qendër është një ndër 14 qendrat shëndetësore dhe pikat e ambulancave në Tiranë, të rehabilituara gjatë fazës së parë të programit të rehabilitimit të qendrave shëndetësore. 100 qendra të tjera shëndetësore pritet të rehabilitohen brenda këtij viti, nga veriu në jug të vendit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.