Mandati i katërt për Mark Rutte – Partitë holandeze arrijnë marrëveshjen e koalicionit që i jep fund bllokimit rekord nëntëmujor!

Mark Rutte duket se do të shërbejë si kryeministër holandez për një mandat të katërt pasi katër parti ranë dakord të formojnë një qeveri koalicioni të hënën në mbrëmje, duke i dhënë fund negociatave nëntë mujore. VVD e qendrës së djathtë të Rutte, D66 e qendrës së majtë, CDA e qendrës së djathtë dhe Christen Unie (konservatorët) arritën një tekst marrëveshjeje që do të paraqitet në parlament të mërkurën.
Negociatat, të cilat filluan pas zgjedhjeve parlamentare në mes të marsit, zgjatën 271 ditë – një rekord i ri për Holandën pas 225 ditësh pa qeveri në 2017, por ende larg rekordit belg prej 541 ditësh pa një qeveri në detyrë.
Me këtë mandat të katërt, Mark Rutte do të bëhet një nga udhëheqësit më jetëgjatë në Europë, pas Viktor Orban të Hungarisë, i cili mori detyrën në maj 2010, por ende është shumë larg nga 16 vitet e Angela Merkelit në krye të Gjermanisë.
Partitë në koalicionin e ri do ta paraqesin marrëveshjen para grupeve të tyre parlamentare të martën dhe do ta hapin atë për debat parlamentar të mërkurën. Sidoqoftë, Holanda, e cila po përballet me një valë të re infeksionesh COVID-19 që kanë çuar në kufizime jopopullore, do të duhet të presë deri në janar për qeverinë e saj të re, ndërsa koalicioni ndan ministritë.
Ndër njoftimet e pritshme të politikave, koalicioni i ardhshëm parashikohet të shpallë një zgjatje të kujdesit falas për fëmijët, miliarda euro investime për të trajtuar ndryshimet klimatike, mungesat e banesave dhe kërkimin e energjisë bërthamore, si dhe futjen e tarifave rrugore.
Udhëheqësja e D66 Kaag pritet të riemërohet si ministre e Jashtme, sipas raporteve të mediave. E emëruar në këtë post në maj, ajo dha dorëheqjen në gusht pasi u kritikua nga parlamenti për trajtimin e saj kaotik të evakuimit nga Afganistani dhe për dështimin për të parë shenja të një pushtimi të afërt të vendit nga talibanët.
Ministri aktual i shëndetësisë Hugo de Jonge, fytyra publike e luftës kundër pandemisë në Holandë, nuk pritet të riemërohet dhe konferenca e tij për shtyp të martën së bashku me Mark Rutte pritet të jetë e fundit e tij në atë post.
Vendi është tronditur nga trazira të dhunshme këtë vit në përgjigje të masave shëndetësore të qeverisë për të frenuar rritjen e rasteve me COVID-19. Këto përfshinin një shtetrrethim nga ora 17:00 deri në 05:00 (përveç dyqaneve thelbësore) dhe një kufizim në numrin e vizitave në shtëpi. Vendi me 17 milionë banorë ka regjistruar më shumë se 2.7 milionë infeksione që nga fillimi i epidemisë dhe më shumë se 19.700 vdekje.
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.