Manuali i ISSH/ Kategoritë që trajtohen me pension social – Masa e përfitimit dhe dokumentet që kërkohen
Instituti i Sigurimeve Shoqërore publikon kriteret e përfitimit të pensionit social.
Në manualin e publikuar së fundmi nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore citohet se pensioni social është një përfitim që i jepet çdo shtetasi shqiptar, i cili ka mbushur moshën 70 vjeç, është me qëndrim të përhershëm në Shqipëri të paktën për pesë vitet e fundit, nuk plotëson kushtet për asnjë lloj pensioni nga skema e detyrueshme e sigurimeve shoqërore dhe nuk ka të ardhura, ose të ardhurat që përfiton nga çdo burim tjetër, janë më të ulëta se të ardhurat që jep pensioni social.
Dhënia e pensionit social ka si bazë ligjore neni 5/1, të Ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në RSH”, të ndryshuar, ndërkohë që ISSH publikon kushtet dhe dokumentet për t’u përfshirë në skemë.
Kushtet e përfitimit
Për t’u përfshirë në skemën e përfitimit personat duhet të plotësojnë kushtet si më poshtë:
– Mosha 70 vjeç;
– Qëndrimi i përhershëm në Shqipëri, të paktën për 5 vitet e fundit;
– Nuk plotësohen kushtet për asnjë pension nga skema e detyrueshme;
– Nuk ka të ardhura ose janë më të pakta se një pension social.
Dokumentacioni:
Për t’u kualifikuar personat duhet të plotësojnë dosjen me dokumentet si:
– Fotokopje e Kartës së identitetit;
– Certifikatë familjare;
– Deklaratë për gjendjen social-ekonomike;
– Vërtetim nga zyra e gjendjes civile, që është banor në Shqipëri për të paktën 5 vite, nga koha që paraqet kërkesën;
– Vërtetim nga organet tatimore, nëse ushtron ose jo veprimtari ekonomike;
– Certifikatë pronësie dhe/ose akti i marrjes në pronësi/në përdorim të tokës;
– Vërtetim për ndihmën ekonomike;
– Deklaratë nëse je aksionar apo bashkëpronar në aktivitete ekonomike/ pasuri të patundshme, që nxjerr të ardhura.
Masa e përfitimit
a) Masa e pensionit social është e barabartë me të ardhurat minimale që sigurohen nga pensioni i pjesshëm i pleqërisë me 15 vite të siguruara me pagë minimale, i llogaritur në datën 31.12.2014;
b) Masa e pensionit social për personat që kanë të ardhura nga burime të tjera do të jetë sa diferenca e pensionit social me të ardhurat e tjera që ka përfituesi;
c) Kriteret, procedurat dhe dokumentacioni për pensionin social përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave.
KUJTESË
a) Përfituesi duhet të paraqesë një herë në vit deklaratën për gjendjen social- ekonomike;
b) Pensioni social tërhiqet nga përfituesi çdo muaj;
c) Pagesa e pensionit social ndërpritet në rast se nuk tërhiqet, në qendrat e përcaktuara të pagesës;
d) Pensioni social mbyllet kur konstatohet se ka të dhëna jo të vërteta, lidhur me kushtet ligjore të përfitimit;
e) Pensioni social nuk ndërpritet në rastet kur përfituesi është për kurim në spital.
os.de/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.