Maqedoni, Zaev tek Ivanov për mandatin. Gruevski: Mbështesim qeveri pakice nëse rrëzon gjuhën shqipe
Ditën e sotme pritet që lideri i LSDM-së Zoran Zaev të dorëzojë në presidencë nënshkrimet e nevojshme për marrjen e mandatit për formimin e qeverisë së rë. Sipas Zaev, ai pret që sot ose nesër të marrë këtë mandat nga presidenti Gjorge Ivanov.
Qeveria e re sipas Zaev do të përbëhet nga LSDM dhe deputetët e partive shqiptare BDI, BESA dhe Aleancës për Shqiptarët.
Burime nga BDI tregojnë se sot duhet të merret vendimi nëse do të ketë një koalicion me LSDM-në apo do të mbështesin një qeveri pakice. Sipas zëdhënësit të kësaj partie, nëse vendoset për mbështetjen e një qeverie pakice, Zaev do të marrë votat e tyre në Kuvend, por nuk do të marrin pjesë në pushtetin ekzekutiv.
Ndërkohë lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski i ka bërë thirrje Zaevit të mos formojë qeveri me BDI-në, duke thënë se VMRO-DMPNE do të mbështesë formimin e një qeverie pakicë, madje nëse do Zaev edhe mund ta burgosë, nëse zotohet mos të prekë themelet e shtetit.
“Ne jemi të përgatitur të mbështesim LSDM-në në pushtet, si parti pakice, po rrëzoi ligjin e gjuhës, platformën e Tiranës dhe propozimin për të ripërvijuar e degraduar Maqedoninë. Nëse Zaevi këmbëngul kaq shumë që të jetë shef i ekzekutivit, atëherë do ta lëmë të zbatojë programin e tij, për sa kohë nuk sulmon shtetin dhe interesat kombëtare. Mund të na godasë ne po deshi, por jo shtetin. Do të dal vullnetar, nëse kjo do të jetë dëshira e tij, që të arrestohem, burgosem, sulmohem dhe VMRO-ja sërish do ta mbështesë qeverinë e tij. Le të më sulmojë mua, por jo themelet e shtetit, dhe këtë mund ta konsiderojë si një ofertë të hapur nga ana ime”, deklaroi Gruevski në një intervistë për televizionin “TV Sitel”.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.