Maqedonia e Veriut në NATO – Nënshkruhet në Bruksel protokolli i anëtarësimit
Vendet anëtare të NATO kanë nënshkruar në Bruksel protokollin e anëtarësimit për Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ceremonia e nënshkrimit ndodhi në prezencën e Ministrit të Jashtëm Nikola Dimitrov.
Me nënshkrimin e protokollit të anëtarësimit, Shkupi mund të marrë tashmë pjesë në aktivitetet e Aleancës. Procesi do të zhvendoset tashmë në kryeqytetet e 29 vendeve anëtare, ku protokolli do të ratifikohet sipas procedurave kombëtare.
Vendi do të bëhet anëtar në NATO sapo të ratifikohet protokolli nga vendet aleate. “NATO ofron siguri për thuajse 1 miliardë qytetarë në të gjithë Europën dhe Amerikën e Veriut dhe tashmë që ju do të anëtarësohen në NATO, do të ketë 30 vende të angazhuara në mbrojtjen e njëri-tjetrit” – tha Jens Stoltenberg, sekretari i Aleancës pas ceremonisë. Ai shtoi se anëtarësimi i vendit do të rrisë stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
Stoltenberg përgëzoi Shkupin dhe Athinën për angazhimin dhe kurajon në arritjen e një marrëveshjeje në lidhje me emrin. Shkupi ka bërë deri më tani kontribute të rëndësishme në misionet e trajnimit të NATO në Afganistan dhe në ruajtjen e paqes në Kosovë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.