Maqedonia po, Shqipëria jo! FT: Negociatat, disa në Bruksel e mendojnë këtë
‘Financial Times’ i ka dedikuar një tjetër shkrim Ballkanit Perëndimor dhe gjasave për një zgjerim të mundshëm të Bashkimit Europian, ku thekson se, Merkel dhe Macron e bënë të qartë gjatë javës se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duhet të bëjnë më shumë progres në agjendën e reformave.
“Disa vende të Bashkimit Europian dhe zyrtarë, mendojnë se takimi i kësaj jave në Berlin ishte një gabim. Ata shqetësohen nga mesazhi negativ që mund t`i jetë përcjellë Shkupit zyrtar”,-shkruan Financial Times duke i’u referuar qartë marrëveshjes së guximshme me Greqinë për të ndryshuar emrin.
Ndër të tjera, zyrtarë të lartë të Bashkimit Europian i druhen faktit se, një sprapsje e Brukselit mund të eleminojë nxitjen që liderët e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut kanë për të çuar reformat përpara, thuhet më tej.
Tërheqja e Brukselit, shton FT, mund të rrisë influencën ruse dhe kineze në rajon, ku pasiguritë politike janë në rritje të vazhdueshme.
Prestigjiozja shkruan gjithashtu se, për disa, Maqedonia e Veriut mund të marrë dritën jeshile, edhe pa Shqipërinë. Në prag të zgjedhjeve për Parlamentin Europian situata është më e mjegullt se kurrë më parë, me Europën që është e ndarë në dy kampe.
Edhe Instituti i Vjenës për Studime Ekonomike ka bërë një analizë mbi zgjerimin e Bashkimit Europian, ku thotë se, gjasat për integrimin e rajonit janë të pakta. Pengesat janë të mëdha, ndërkohë që entuziazmi i Europës perëndimore për t`u zgjeruar drejt rajonit, nuk duket të jetë aq i madh, thotë Instituti i Vjenës.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.