Maqedonia voton emrin – Shumica siguron 80 votat, hidhet hapi i parë drejt ndryshimit
Më në fund, shumica në Maqedoni i`a doli të sigurojë votat e nevojshme për të vulosur çështjen e ndryshimit të emrit, duke i dhënë fund një përplasje prej më shumë se dy dekadash me Greqinë në lidhje me këtë çështje.
Një numër i përgjithshëm prej 80 deputetësh nga një parlament me 120 të tillë votoi në favor të emrit: “Republika e Maqedonisë së Veriut. Parlamentit i nevojiteshin ekzaktësisht 2/3 për të votuar ndryshimin e emrit të republikës. Vetëm pak kohë më parë referendumi konsultativ në lidhje me këtë çështje, dështoi, pasi nuk arriti dot kuorumin e nevojshëm.
Votimi i Parlamentit pritet të zhbllokojë kandidimin e Maqedonisë për t`iu bashkuar Natos dhe Bashkimit Europian, ku prej kohësh Greqia ishte pengesa kryesore.
Votimi i Parlamentit maqedonas nuk është akti final i miratimit të ndryshimit, pasi duhet të kalojë edhe disa faza të tjera votimi ne Parlament. Çështja duhet të mbyllet në Janar të vitit të ardhshëm.
Me të përfunduar kjo procedurë, duhet të votojë edhe parlamenti grek. Por, votimi tregoi se, shumica i ka numrat për këtë çështje. Partia Vmro-Dpmne, përjashtoi 8 deputetët e saj të cilët votuan pro ndryshimit të emrit.
“Sot është një ditë historike për vendin”, deklaroi kryeministri Zoran Zaev.
Votimi në Parlamentin maqedonas është përshëndetur edhe nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.
“Votimi në kuvendin e Maqedonisë pro nismës për ndryshimet kushtetuese është një hap i rëndësishëm, shprese e besimi se procesi i anëtarësimit të Maqedonisë në Nato dhe Be është në rrugën e duhur”, shkruan Meta në rrjetet sociale, duke shtuar gjithashtu se, kjo do të rrisë edhe stabilitetin në rajon. Gjithashtu, kanë reaguar edhe zyrtarë të tjerë nga Shqipëria
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.