Markatat e qyteteve – “Bashkitë të nxitojnë për projekte nëse duan financime”

Zëvendëskryeministri Peleshi bën thirrje kryetarëve që të nxitojnë në hartimin e projekteve dhe të aplikojnë pranë Fondit të Zhvillimit të Rajoneve për ti financuar ato. Një projekt i lançuar nga qeveria shqiptare thuhet se ka si qëllim ndërtimin e markatave ushqimore në bashki të ndryshme.
Ky projekt parashikon ndërtimin e qendrave të përbashkëta të shërbimeve ushqimore, me sipërfaqe kryesisht nga 2000 – 4000 m2 secila dhe me kapacitet nga 200 deri në 400 sipërmarrje ekonomike secila.
“Markata e Fierit është një nga projektet e financuara nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve, hartuar nga Bashkia e Fierit. Është një nga projektet e para në fakt, që unë do ta përdorja për të lançuar një iniciativë të qeverisë shqiptare edhe një ftesë për të gjitha Bashkitë të cilat kanë potencial për të ndërtuar tregjet urbane, të pakicës, pra tregjet urshqimore në qëndrat e qyteteve. Dua të inkurajoj Kryetarët e Bashkive të hartojnë sa më shpejt projektet dhe të aplikojnë pranë Fondit të Zhvillimit të Rajoneve”.
Menaxhimi i markatave thuhet se do të bëhet nga vetë Bashkitë ose drejtpërdrejtë ose me kontraktim privat, për më tepër përfitime për Bashkitë dhe sipërmarrësit. Zëvendëskryeministri Peleshi prezantoi edhe disa projekte të tjera që pritet të realizohen në Bashkinë e Durrësit, Elbasanit dhe Vlorës.
Në momentin që po flasim kemi punën e filluar në Fier, kemi avancuar shumë me tregun e Tiranës përmes një bashkëfinancimi me fondin Shqiptaro-Amerikan dhe qeverise shqiptare, nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve dhe nga Bashkia e Tiranës gjithashtu, po rikonstruktohet markata, për shumë pak kohë atje do të jenë disa qindra tregtarë që do të vitalizojnë dhe do të ushtrojnë aktivitetin në atë treg. Ndërkohë po punojmë dhe po mbështesim me projekt Bashkinë e Durrësit, do të fillojmë shumë shpejt me Bashkinë e Elbasanit, jemi në bisedime me kryetarin e Bashkisë së Vlorës derisa të identifikojmë një teritor në qytet për të ndërtuar tregun dhe në këtë mënyrë do të ndërtojmë në gjithë Shqipërinë rrjetin e markatave të qyteteve”, tha Peleshi
Në këto markata thuhet se do të mund të ndërthuren dhe zhvillohen deri në 10 shërbime paralele, nga shitja dhe tregtimi i produkteve ushqimore dhe bujqësore, e deri në shërbimet e paketimit, ndërlidhjes etj, të cilat do të mund të krijojnë produkte të reja, si dhe shihen si një potencial për zhvillimin ekonomik dhe të punësimit, sidomos për zonat më pak të favorizuara.
Florenc Drizari/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.