Marrëdhëniet Serbi – Shqipëri – Bushati: Potenciale sa i përket zhvillimit të turizmit
“Marrëdhëniet mes Serbisë dhe Shqipërisë cilësohen si normale mes dy fqinjëve që zhvillohet në mënyrë progresive. Marrëdhënie që kanë ulje-ngritje dhe frymë polemizuese por mund të konsiderohen ende marrëdhënie të brishta që mund të vihen në pikëpyetje nga një incident”. Kështu u shpreh Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati gjatë aktivitetit “Serbët dhe Shqiptarërt- Në cilin drejtim?”. Marrëdhënia mes dy vendeve është cilësuar si dinamike dhe me potencial sa i përket zhvillimit në sektorin e turizmit.
“Janë marrëdhënie dinamike me potencial të paeksploruar mirë, siç tregojnë edhe të dhënat e fundit që dëshmojnë për një frymë pozitive sa i përket zhvillimit të sektorit të turizmit, ku gjithnjë e më shumë serbë e konsiderojnë Shqipërinë si destinacion turistik”.
Referuar çështjes së Kosovës Bushati u shpreh se procesi i normalizimit, duhet t’i hapë rrugën procesit të pajtimit ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve.
“Kur flitet për marrëdhënien shqiptaro-serbe, apo Shqipëri-Serbi është shumë e vështirë të injorohet elefanti në dhomë, Kosova. Procesi i normalizimit është një proces shumë i vështirë mes Serbisë e Kosovës, që zhvillohet në ndërmjetësimin e përfaqësueses të lartë të Politikës së Jashtme të BE-së, Mogherini, me mbështetjen e SHBA-së, nuk është një proces që mund të zëvendësohet nga një raport i mirë mes Shqipërisë dhe Serbisë, por vetëm mund të përplotësohet nga një raport edhe më i mirë mes Shqipërisë dhe Serbisë”, tha Bushati.
Bushati theksoi po ashtu se marrëdhëniet mes dy vendeve janë në progres e sipër, sepse programet e mobilitetit po zbatohen duke i dhënë frymë edhe konceptit të ndërlidhjes në kuadër të Procesit të Berlinit, ku dy arteriet kryesore të programit të ndërlidhjes kanë si boshte kryesore Shqipërinë dhe Serbinë.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.