Marrëdhëniet Shqipëri-Bullgari – Meta-Zaharieva: Do të rrisim shkëmbimet ekonomike e tregtare
Presidenti i Republikës, Ilir Meta vetëm pak ditë pasi ka marrë zyrtarisht detyrën është takuar me zëvendëskryeministren për Reformën Gjyqësore dhe Ministren e Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva.
Duke vënë në dukje se Bullgaria është një partnere e qëndrueshme e Shqipërisë, Presidenti Meta dhe Zëvendëskryeministrja Zaharieva ndanë të njëjtën pikëpamje për nxitjen e mëtejshme të shkëmbimeve ekonomiko-tregtare dhe rrugën e projekteve të përbashkëta rajonale zhvillimore.
Presidenti Meta nënvizoi gjithashtu rëndësinë e mbështetjes nga ana e Bullgarisë për procesin e liberalizimit të vizave të Kosovës me Bashkimin Evropian si dhe anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare.
Më tej Meta ka shprehur besimin për mbështetjen që do të japë Bullgaria për mundësinë e hapjes së negociatave të anëtarësimit të vendit tonë në gjirin e familjes evropiane.
Presidenti Meta dhe Zëvendëskryeministrja Zaharieva ndanë pikëpamje të njëjta mbi rëndësinë e reformës në drejtësi dhe implementimin e saj si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të institucioneve dhe luftës kundër korrupsionit e krimit të organizuar.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.