Marrëveshja e gjelbër e BE: 364 milionë euro Italisë nga fondi i tranzicionit dhe 2 miliardë Polonisë
Polonia është sigurisht vendi që në sytë e Komisionit Europian duhet të përfitojë më shumë nga Fondi për një tranzicion të drejtë, një instrument i krijuar për të lehtësuar rrugën drejt neutralitetit të klimës deri në vitin 2050. Sipas propozimit legjislativ të paraqitur qeverive nga ekzekutivi i BE-së, vendi i Europës së lindjes-qendrore duhet të marri investime totale prej më shumë se 27 miliardë euro nga 104 miliardë euro në total.
Sipas të dhënave të publikuara të Mërkurën në Bruksel, Polonia do të merrte 2 miliardë euro nga 7,5 miliardë që do të përbëjnë fondin. Përmes bashkëfinancimit kombëtar dhe ndihmës tjetër financiare, vendi duhet të jetë në gjendje të mobilizojë deri në 27.4 miliardë euro për periudhën 2021-2027. Qëllimi i fondit (i njohur me akronimin anglez Jtf) është të lehtësojë një tranzicion që do të ketë kosto ekonomike dhe sociale, veçanërisht në një vend që përdor sasi të mëdha qymyri.
11 vendet e Europës Lindore pritet të mobilizojnë 60 miliardë euro investime, pjesa tjetër do të mbetet për shtetet e tjera anëtare. Gjermania është një përfituese e rëndësishme, me investime të vlerësuara në 13.4 miliardë euro. Republika Federale vazhdon të përdorë gjerësisht karbonin dhe linjitin, dhe ka një industri kimike me shumë ndotje, veçanërisht në Rhein-Westfalen dhe Rhineland-Palatinate. Buxheti për Italinë konfirmohet: 364 milion euro për investime prej 4.8 miliardë euro.
Duhet të kihet parasysh se shpërndarja e parave do të varet nga projektet specifike të konvertimit mjedisor dhe ekonomik që vendet do të duhet t’i paraqesin Komisionit Europian për të marrë miratimin. Propozimi legjislativ tani do të negociohet midis Këshillit dhe Parlamentit. Mbi të gjitha, projekti i komunitetit bazohet në solidaritetin e nevojshëm me synimin për një të mirë të përbashkët: një mjedis më të qëndrueshëm.
Në dhjetor, Polonia nuk e përqafoi angazhimin e bërë nga shtetet e tjera anëtare për të arritur neutralitetin e klimës deri në vitin 2050. Është e qartë se bujaria e JTF do të duhet gjithashtu të shërbejë për të kapërcyer rezistencën polake. Arritja e objektivit europian varet nga Polonia, por lind pyetja nëse Varshava do të jetë në gjendje të përfitojë nga fondi edhe pa angazhimin e tij mjedisor. Ndërkohë, në Twitter ministri polak i klimës Michal Kurtyka shprehu kënaqësi për zgjedhjet e komunitetit.
Gjithashtu të Mërkurën 15 në Strasburg, Parlamenti Europian dëshmoi edhe një herë se ishte më ambiental se Këshilli, duke aprovuar një rezolutë në të cilën mori një pozicion në favor të një shkurtimi të emetimeve të dëmshme prej 55% deri në vitin 2030 (dhe jo “të paktën 50% “siç propozohet nga Brukseli). Eurodeputetët gjithashtu kërkuan një objektiv për 2040 për të vlerësuar më mirë rrugën drejt neutralitetit të klimës në 2050. Rezoluta u miratua me 482 vota pro, 136 kundër dhe 95 abstenime.(ilsole24ore)
E.S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.