Marrëveshja me FMN – Nga 1 Nëntori ky shtet rrit çmimin e gazit me 23.5%
Kiev ka njoftuar se ukrainasit do të duhet të paguajnë rreth 25 për qind më shumë për gazin duke filluar nga nëntori. Vendimi pason pas një marrëveshje me Fondin Monetar Ndërkombëtar që kërkon rritje të çmimit si pjesë e programit të ndihmës.
“Duke filluar nga 1 nëntori, çmimet e gazit do të rriten vetëm me 23.5 për qind. Jo me 60 për qind. Kjo është ajo që arritëm si rezultat i negociatave”, tha kryeministri ukrainas Vladimir Groysman.
Kryeministri vuri në dukje se qeveria ukrainase kishte negociuar me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) për të hequr çështjen e ngritjes së çmimeve të gazit nga agjenda e bashkëpunimit me organizatën.
Programi katër-vjeçar i ndihmës së FMN-së për Ukrainën parashikon ndarjen e 17.5 miliardë dollarëve në vend. Kiev ka marrë katër këste në program që nga viti 2015. Autoritetet e Ukrainës pritet të marrin këstin e pestë, të parashikuar në fund të 2017, por që ende nuk është ndarë.
Financimi varet nga disa masa shtrënguese si rritja e çmimeve të gazit për popullsinë, reforma të ndryshme anti-korrupsion dhe kërkesa shtesë në buxhetin e shtetit.
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.