Marrëveshja me TAP – MEI, Bele: Tre llojet e përfitimeve që ka Shqipëria

Marrëveshja që ndryshon përfitimet e Shqipërisë nga gazsjellësi TAP u disktutua në Komsionin parlamentar të Veprimtarive Prodhuese. Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë Koli Bele dha në detaje përfitimet shtesë që merr Shqipëria nga projekti.
“Përfitimet mund t’i grupojmë në tre kategori: janë ato përfitime që kanë të bëjnë me amendimet e legjislacionit me efekt fiskal, dhe si të tilla janë përfitime që do shtrihen gjatë gjithë periudhës kur TAP do funksionojë, pra fillojnë nga ky moment dhe kanë përfitime për gjithë këtë periudhë; janë ato përfitime të karakterit ligjor, ku më i prekshmi përsëri lidhet me pjesën e stabilitetit fiskal, por dhe me atë që është vetë zgjatja e kësaj marrëveshjeje; krahas kësaj elemente të tjerë të rëndësishëm të kësaj marrëveshjeje kanë të bëjnë me përfitimet direkte për komunitetin, të cilat janë si pagesa direkte për projekte komunitare. Nëse do t’i kuantifikonim këto benefite, mund të themi që në total, duke përfshirë edhe efektin afatgjatë të lehtësisë fiskale dhe të ndryshimeve me efekt fiskal, arrijmë në një marzh i cili është afërsisht 90 milionë dollarë”, u shpreh Bele.
Përfaqësuesi i ministrisë sqaroi se Shqipëria është e angazhuar që të maksimizojë përfitimet e saj nga ky projekt. Kjo lidhet me ngritjen e kapaciteteve të nevojshme për gazifikimin dhe shfrytëzimin e gazit nga industria.
Kompania “Albgaz” e ngritur në fillim të këtij viti mund të angazhohet në mirëmbajtjen e rrjetit të TAP për Shqipërinë por kjo mbetet për t’u diskutuar.
Nertila Maho/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.