Marrëveshja në Kuvend/Shqipëria shton aksionet në Bankën Islamike për Zhvillim. Në 20 vite, u investuan 470 milion euro projekte në Shqipëri
Qeveria shqiptare ka depozituar në Kuvend për ratifikim rezolutën “Në lidhje me rritjen e përgjithshme të 5- të të Bankës Islamike për Zhvillim (IDB) dhe arkëtimin e 50% (pjesa e arkëtueshme e parave) të kapitalit të nënshkruar të Bankës Islamike për Zhvillim sipas rritjes së 4- t të përgjithshme të kapitalit dhe disa nënshkrimeve të tjera të veçanta”, të vitit 2013, të Bordit të Guvernatorëve të Bankës Islamike për Zhvillim (IDB)”
Përmes ratifikimit, pala shqiptare bie dakord të shtojë masën e kapitalit të pjesëmarrjes në këtë banka, çka reflektohet edhe me shtimin e aksioneve.
Në vitin 1993, vendi ynë ka aderuar në dokumentin bazë të Bankës Islamike për Zhvillim (BIZH) dhe si anëtar i saj dhe zotëron 923 aksione, me vlerë 10 000 dinarë islamikë (ID) për aksion, me një vlerë totale prej 9 230 000 ID, ekuivalent i 11,44 milionë euro dhe me një përqindje të aksioneve të zotëruara prej 0,05%.
“Miratimi i kësaj rezolute dhe rritja e re e kapitalit të Bankës Islamike për Zhvillim do ta çonte numrin e aksioneve të Shqipërisë në 2,584, me një vlerë 25.84 milionë ID, ekuivalent i 32 milionë euro, dhe kërkon një shtesë të kuotës sonë të anëtarësimit prej 16.61 milionë ID ose 20,5 milionë euro, shumë kjo që bëhet e detyrueshme për t’u paguar vetëm në rast se BIZh-ja, që është një institucion financiar ndërkombëtar i nivelit AAA, do ta ketë të pamundur të paguajë detyrimet e veta. Në rast të tillë, fatura financiare për buxhetin do të ishte 20,5 milionë euro. Mosnënshkrimi i rritjes së 5-të për vendin tonë do të çonte në një ulje të % së alokimit, bazuar në kapitalin e dhënë/nënshkruar nga 0.05% në 0.02%. Pas nënshkrimit të rritjes së kapitalit vendi ynë do të zotërojë 2,584 aksione, me një vlerë totale prej 25,84 milionë ID, ekuivalent i 32 milionë euro” shkruhet në relacionin e nismës.
Marrëveshjet e firmosura për periudhën 1995-2016, ndërmjet qeverisë Shqiptare dhe Bankës Islamike për Zhvillim, kapin shifrën 470 milionë euro. Projekte aktive që janë duke u zbatuar janë në shifrën 384,7 milionë euro. Financimet e IDB-së janë kryesisht në fushën e infrastrukturës rrugore, në fushën e ujit, shëndetësisë, mikrofinancës etj. Financimi është kryesisht në fushën e infrastrukturës rrugore, segmenti Tiranë – Elbasan, Qukës – Qafë-Plloçë, Mikrofinanca, Porti i Peshkimit Durrës, Furnizimi me ujë i Qytetit të Orikumit etj.
Banka Islamike për Zhvillim është një institucion financiar multilateral për zhvillim me qendër në Jedahh, Arabi Saudite, anëtare e së cilës është edhe Shqipëria që nga viti 1993. E themeluar në 1975 kjo bankë numëron 56 vende anëtare dhe synon të nxisë zhvillimin ekonomik dhe progresin social të vendeve anëtare.
Për të lexuar relacionin e plotë: Kliko këtu
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.