Marrëveshja qeverisëse në Gjermani – Synohet përshpejtimi i tranzicionit dhe modernizimi i ekonomisë
Social Demokratët e Gjermanisë (SPD), Të Gjelbrit dhe Demokratët e Lirë (FDP) nënshkruan një marrëveshje koalicioni , që përcakton se si të përshpejtohet një tranzicion i gjelbër dhe të modernizohet ekonomia më e madhe e Europës kur të marrin detyrën këtë javë. Kjo aleancë i jep fund 16 viteve të qeverisë së udhëhequr nga konservatorët nën drejtimin e Angela Merkel, e cila nuk kandidoi për një mandat të pestë në zgjedhjet e shtatorit.
Olaf Scholz i SPD-së do të zgjidhet kancelar nga dhoma e ulët e Bundestagut dhe do të marrë zyrtarisht detyrën të mërkurën. Nën logon “Guxoni Më shumë Përparim”, anëtarët drejtues të tre partive nënshkruan marrëveshjen prej 177 faqesh para kamerave televizive.
“Nëse arrijmë të vazhdojmë bashkëpunimin e mirë, do të jetë një kohë e shkëlqyer për detyrat që na presin në vitet e ardhshëm”, tha Scholz.
Ministrja e Jashtme e emëruar, Annalena Baerbock, nënvizoi se tani ishte koha që “të vihet në jetë ky traktat koalicioni me largpamësi, pragmatizëm dhe mbi të gjitha me shumë pasion, jo për ne si qeveri apo parti, por për njerëzit në këtë vend në të gjitha diversitetet e tyre, të moshuar e të rinj, të lindur këtu apo gjetkë”.
Palët paraqitën marrëveshjen muajin e kaluar, por duhej që anëtarët ta miratonin atë përpara se ta nënshkruanin.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.