Marrëveshja tregtare, 90% gati – Mnuchin: Samiti i G20 do të sjellë rezultate pozitive
Sekretari i Thesarit në SHBA, Steven Mnuchin, tha se SHBA dhe Kina kanë qenë shumë pranë marrëveshjes tregtare. “Ne ishim thuajse 90% pranë marrëveshjes tregtare dhe mendoj që ka një mënyrë për ta përfunduar”, tha Mnuchin. Ai shtoi se ka besim që presidenti Donald Trump dhe homologu kinez, Xi Jinping mund të bëjnë progres në samitin e G20 këtë fundjavë. Mnuchin nuk ofroi detaje se çfarë detajon 10%-shi i marrëveshjes, apo ku ka ngecur përfundimi i paktit tregtar.
Trump do të takojë presidentin kinez Xi Jinping ditën e Shtunë, në samitin e 20 ekonomive më të mëdha në botë në Osaka, Japoni. Rezultati i takimit do të jetë i rëndësishëm për ekonominë botërore dhe tregjet financiarë, që janë tronditur nga 18 muaj të tensioneve tregtare mes 2 ekonomive më të mëdha në botë. Bank of America Merill Lynch anketoi investitorët dhe zbuloi se rreth 70% e tyre presin që nuk do të ketë marrëveshje këtë fundjavë. “Shpresoj që mund të arrijmë në në plan. Presidenti Trump dhe Xi Jinping kanë një marrëdhënie shumë të afërt”, tha Mnuchin.
Indekset e titujve të kapitalit në SHBA patën rritje pas komenteve të sekretarit. Negociatat mes Kinës dhe SHBA u ndërprenë në muajin Maj, për shkak se Kina nuk kërkonte t’i bindej ndryshimeve për vjedhjen e pronës intelektuale, transferimeve të detyrueshme të teknologjisë dhe manipulimeve të valutës.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.