Marrëveshja tregtare Britani-SHBA – Kërkesat e Johnson do testojnë marrëdhënien e veçantë mes vendeve
Britania prezantoi mandatin për bisedimet tregtare me Shtetet e Bashkuara në nisje të Javës dhe Kryeministri Boris Johnson premtoi se do të vendosë kushte në negociatat, që pritet të testojnë marrëdhënien e veçantë mes 2 vendeve. Pas daljes nga Bashkimi Europian në muajin Janar, Johnson kërkon të ndjekë një marrëveshje tregtare me Washingtonin, për të vërtetuar pavarësinë e Britanisë dhe për të vendosur presion tek bisedimet me Bashkimin Europian.
Ndërkohë që ekipet e negociatave i drejtohen Brukselit, qeveria prezantoi mandatin për bisedimet me Shtetet e Bashkuara, duke paralajmëruar se Londra mund të largohet nëse kërkesat nuk përmbushen. Britania deklaroi se kërkon të arrijë përfitime të mëdha, duke hequr barriera tregtare, por shtoi se Shërbimi Kombëtar i Shëndetësisë nuk do të përfshihet në negociata dhe standardet e ushqimit nuk do ndryshojnë. “Ne kemi negociatorët më të mirë dhe do të vendosim kushte të ashpra për të nxitur industrinë britanike”, tha Johnson, duke shtuar se marrëveshja tregtare transatlantike do të reflektojë afërsinë unike të dy kombeve të mëdha.
Analizat qeveritare bëjnë të ditur se marrëveshja me SHBA mund të nxisë tregtinë përmes Oqeanit Atlantik me 15.3 miliardë paund dhe shtojë 3.5 miliardë paund tek ekonomia britanike. SHBA janë aktualisht partneri më i madh tregtar i Britanisë pas Bashkimit Europian dhe zënë thuajse 19% të eksporteve totale dhe 11% të importeve. Bashkimi Europian, zinte 45% të totalit të eksporteve të Britanisë dhe 53% të importeve.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.