Marrëveshja tregtare SHBA-Britani – Efekt minimal në skenarin e një Brexit pa marrëveshje
Një marrëveshje e mundshme tregtare mes Britanisë dhe Shteteve të Bashkuara do të bëjë shumë pak për të lehtësuar ndikimin e daljes nga Bashkimi Europian, paralajmërojnë ekonomistët.
Qeveria britanike dhe ajo amerikane kanë shprehur dëshirën për të arritur një marrëveshje të pjesshme mbi tregtinë sa më shpejt të jetë e mundur.
Gjatë vizitës së fundit të Londër, këshilltari për sigurinë kombëtare në SHBA, John Bolton, deklaroi se Uashingtoni do të mbështeste me entuziazës një dalje pa marrëveshje nga Bashkimi Europian, nëse kryeministri Boris Johnson do ta bënte një gjë të tillë.
Gjithashtu, Bolton deklaroi se Uashintoni është i gatshëm për të punuar me shpejtësi për arritjen e një marrëveshjeje të tregtisë së lirë. Megjithatë, një marrëveshje e tillë përballet me pengesa të mëdha politike dhe ekonomike në të dyja anët e Atlantikut.
Në vitin 2018, Bashkimi Europian përfaqësonte 46% të të gjitha eksporteve të Britanisë dhe 54% të importeve, ndërsa 7 nga 10 tregjet më të mëdha të eksporteve dhe burimeve të importeve në Britani janë nga 27 vendet e tjera të Bashkimit Europian.
Shtetet e Bashkuara përbëjnë 19% të eksporteve britanike dhe 11% të importeve. Për këtë arsye, analistët mendojnë se një marrëveshje tregtare SHBA-Britani do të ketë një efekt minimal nëse Mbretëria e Bashkuar del nga Bashkimi Europian pa një marrëveshje.
Për të shmangur efektet negative, qeveria britanike po përpiqet të zëvendësojë marrëveshjet ekzistuese tregtare me vendet e Bashkimit Europian me territore të tjera.
Lidion Kulla / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.