Marrëveshja tregtare SHBA-Kinë – Negociatorët amerikanë e mirëpresin. Kina tregohet e kujdesshme!
Negociatori tregtar i presidentit Donald Trump lavdëroi marrëveshjen tregtare me Kinën, që pritet të dyfishojë eksportet e SHBA drejt kinës në 2 vitet e ardhshme. Përfaqësuesi i tregtisë në SHBA, Robert Lighthizer tha se do të ketë disa ndreqje të vogla në tekst, por që më në fund, marrëveshja është arritur. Ky pakt mes 2 ekonomive më të mëdha në botë, që u arrit pas 2 vite e gjysmë negociatash, do të ulë disa tarifa amerikane ndaj mallrave kinezë, në këmbim të rritjes së blerjeve nga Kina të mallrave amerikanë të bujqësisë, manifakturës dhe energjisë me 200 miliardë dollarë, në 2 vitet e ardhshme.
Kina premtoi gjithashtu që të mbrojë pronën intelektuale të SHBA, të frenojë transferimin e detyruar të teknologjisë amerikane tek firmat kineze si dhe të hapë tregjet financiarë ndaj firmave amerikane dhe shmangë manipulimin e valutës. Tregjet botërorë mirëpritën lajmin, duke treguar rritje në sesionin e parë tregtar të javës. Lighhizer tha se po përcaktohet një datë kur zyrtarët kryesorë kinezë dhe amerikane do të nënshkruajnë formalisht marrëveshjen. Megjithatë, pavarësisht se delegacioni tregtar i Kinës ishte optimist për marrëveshjen, disa burime të tjera qeveritare bënë të ditur se kjo është një marrëveshje me faza dhe nuk nënkupton përfundimin e luftës tregtare.
Marrëveshja pezulloi kërcënimin për një raund tjetër të tarifave nga Shtetet e Bashkuara, që do të bëheshin efektive javën e kaluar. Shtetet e Bashkuara ranë gjithashtu dakord të përgjysmojnë tarifat ndaj 120 miliardë dollarë mallra kineze.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.