Marrëveshje mes 3 Ministrive dhe 5 Bashkive për krijimin e kantinave ushqimore në shkolla – Peleshi: Do kontrollojmë ushqimin për nxënësit

3 Ministri dhe 5 Bashki kanë nënshkruar një marrëveshje për krijimin e kantinave ushqimore, nëpërmjet të cilave do të ofrohet ushqim i shëndetshëm në shkolla. I pranishëm në një aktivitet për sigurinë ushqimore në shkolla, ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi deklaroi se:
“Duam të krijojmë një aleancë me fëmijët, një aleancë të re që mund të përçojë mesazhe mbi kontrollin e ushqimeve. Në shkolla kishim lloj-lloj njësish, lloj-lloj tezgash që krijonin dhe prodhonin ushqime, por ne duam të shkojmë te standardi tjetër, të ofrojmë në shkollë ushqim të kontrolluar, në mënyrë që të kemi mundësinë të kontrollojmë edhe listën e ushqimeve.
Kërkohet një aleancë edhe me kryetarët e bashkive, 5 prej tyre na kanë ofruar mbështetje. Pra ne duam të implementojmë konceptin e ushqimeve të sigurta në shkolla”, u shpreh Peleshi.
Për të promovuar ushqimin e shëndetshëm përmes mjediseve të përshtatshme, Peleshi deklaroi se kërkohet që të përmirësohet puna e inpektoriateve.
“Të krijojmë mjedise të përshtatshme për të promovuar ushqimin e shëndetshëm dhe sigurinë ushqimore në shkolla, meqë duam të fusim një koncept të ri. Ka nevojë për ndryshime kulturore, ndaj kemi shumë për të bërë për të përmirësuar punën e inspektoriateve.”
Nga ana e saj ministrja e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale, Manastirliu pohoi: “Ministria e Shëndetësisë do të kujdeset për ushqimin në shkolla, duke parë kushtet higjieno- sanitare, por edhe se si do të prodhohet ushqimi për fëmijët.”
os.de/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.